“Shqipëria, pika kyçe mes Lindjes dhe Perëndimit”, turizmi edhe si strategji gjeopolitike

Nga Loneta Progni
8 Prill 2024, 22:21 | Aktualitet

Turizmi nuk është aspak i shkëputur nga politika apo gjeopolitika e Bashkimit Europian. Kjo, më konkretisht dhe më mirë se kurdo vihet re këto ditë që po zhvillohet takimi i 70-të i Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit. Zhvillimi i turizmit këto vitet e fundit ka çuditur edhe vetë këtë organizatë dhe prania e saj në Shqipëri është një garanci se Shqipëria përfundimisht po e merr vendin që i takon si pika kyçe e Evropës. Sipas Drejtores Ekzekutive të Organizatës Botërore të Turizmit, Shqipëria ndodhet në pikën kyçe mes Lindjes, Perëndimit, Lindjes së Mesme dhe Azisë dhe ndaj merr kaq shumë vlera si pikë strategjike edhe në aspektin e turizmit. Loneta Progni ka intervistuar Natalia Bayona, Drejtores Ekzekutive të Organizatës Botërore të Turizmit, ku folët për sfidat e turizmit dhe pse Shqipëria zgjoi interesin e botes tani, kaq shpejt, dhe çfarë duhet patur kujdes.

***

Loneta Progni: Zonja Bajona faleminderit për kohën. Fillimisht, Shqipëria renditet e para në Europë sa i takon numrit të turistëve të huaj që kanë hyrë në vendin tonë në 2023. Ishte kjo shifër surprizuese për Organizatën Botërore të Turizmit?

Natalia Bayona, Drejtoreshë Ekzekutive e World Tourism Organization: Është kënaqësi që jam këtu me ju sot. Më duhet të them se Shqipëria mban vendin e parë lidhur me ecurinë në turizëm. Është e para në Evropë me më shumë se 50% rritje kur bëhet fjalë për turizmin dhe është e pabesueshme. Por falë angazhimit politik të kryeministrit, ministres së Turizmit Mirela dhe sigurisht të gjithë rajoneve, sot Shqipëria pret 10 milionë vizitorë ndërkombëtarë. Kjo është e mahnitshme. “Albania All Senses”, siç e dini, përshkruan natyrisht, plazhet e pacenuara, traditën, gastronominë, historinë, kulturën. Dhe gjëja më e rëndësishme, ndoshta vlera më e rëndësishme e turizmit, liria. Liritë për investime, liritë për rritjen ekonomike, liritë për t’u pozicionuar në një vend më të mirë dhe rezultatet po shihen. Shumë urime për Shqipërinë dhe ne jemi të kënaqur, për ju dhe turizmin, për të cilin jemi sot këtu.

Loneta Progni: Pse u zgjodh pikërisht Shqipëria për një event kaq të rëndësishëm?

Natalia Bayona: Shqipëria është me të vërtetë e rëndësishme sot për ne, sepse sot sapo kemi përfunduar komisionin e shtatëdhjetë për Evropën ku takojmë të gjithë evropianët për të diskutuar për të ardhmen e organizatës, për të marrë vendime në lidhje me agjendën për Evropën, për të punuar së bashku për të parë se cilat janë sfidat në turizëm dhe si ta bëjmë këtë sektor ekonomik të rritet.  Dhe nesër, është dita më emocionuese, dita e investimeve, ku takojmë sektorin publik dhe privat për të prezantuar gjërat më të rëndësishme që Shqipëria ka për të ofruar, politikat stimuluese, taksat, dhe lehtësimet, ndër të tjera, në këtë ekonomi krijuese dhe në këtë vend mahnitës.

Loneta Progni: Të flasim pak dhe për udhëzuesin për investimet në vendin tonë. Cilat janë pikat e forta të Shqipërisë që keni identifikuar në këtë udhëzues?

Natalia Bayona: Në Shqipëri, më duhet ta them sërish, bëhet fjalë për nxitje investimesh, stabilitet politik, liri ekonomike, siguri dhe besim; janë këto janë vlerat kryesore për investitorët. Dhe ajo që shoh këtu për shembull, janë investimet spanjolle, që sigurisht Spanja është një treg i rëndësishëm për sa i përket turizmit, është një nga investitorët kryesorë. Pra, të kesh këtu emra si Melia, ose si brenda amerikane si Intercontinental, ose ndërsa ecnim në qendër të qytetit për të parë Tummo, ku po kodojnë fëmijët, është e pabesueshme sepse në fund të ditës ky është një sinonim i stabilitetit, sinonim i mendjes së hapur, dhe sigurisht është një përzierje e investimeve tradicionale, infrastrukturës, hoteleve, por sigurisht dijes, kreativitetit dhe inovacionit. Investime gjithashtu për ta bërë Shqipërinë një vend ku turizmi ka peshë dhe sigurisht dje kam dëgjuar nga kryebashkiaku që arsimi është pjesë e investimeve, pasi ju po krijoni një mega akademi këtu për të tërhequr talente dhe është e drejtë, sepse nuk ka të bëjë vetëm me infrastrukturën, ka të bëjë me zhvillimin e kapitalit njerëzor që këto vende janë angazhuar me të gjitha këto asete, dhe është shumë e rëndësishme kur bëhet fjalë për të sjellë sektorin privat këtu.

Loneta Progni: Cili është vizioni juaj për të ardhmen e turizmit në Shqipëri? E shihni si një vend që mund të presë turistët me çanta shpine që vijnë për të shijuar Shqipërinë e egër apo e shihni si një vend që mund të ofrojë turizëm elitar?

Natalia Bayona: Ndjej se sot më shumë se kurrë Shqipëria është në momentin më të mirë për sa i përket promovimit të imazhit të vet kur bëhet fjalë për rëndësinë e urbanizmit që është me të vërtetë kyçe, sepse ju po organizoni evente të përmasave të mëdha që lidhen me urbanizimin, me qytetet e mëdha dhe bëhet fjalë për njohuri, si një vlerë e shtuar për këtë ekonomi, sa më shumë evente që përpiqeni të sillni, aq më shumë do ta pozicionojë këtë rajon dhe këtë vend në të preferueshëm për të sjellë njerëz nga e gjithë bota dhe ju keni diçka që është vërtet unike, keni shumë lidhje të mira me Lindjen e Mesme, me Evropën Lindore me Evropën Perëndimore dhe sigurisht me Azinë, kështu që tregjet kryesore janë atje dhe ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë të ndihmojmë, po punojmë së bashku dhe e di që ky vend do të vazhdojë të udhëheqë me këto shifra falë angazhimit të njerëzve që në fund të ditës po e bëjnë të mundur këtë.

Loneta Progni: Cilat janë rekomandimet tuaja për qeverinë shqiptare?

Natalia Bayona: Qeverisë shqiptare, ajo që duhet t’i rekomandoj apo t’I them, është se sot më shumë se kurrë, turizmi është një nxitës i paqes, turizmi është një sektor i fortë ekonomik, Shqipëria ka promovuar me sukses një markë të re, një imazh të ri dhe kjo është shumë e rëndësishme. Unë vij gjithashtu nga një vend në zhvillim, nga Kolumbia në Amerikën Latine, ku imazhi ishte vendimtar për të ndryshuar mënyrën se si vendi po promovohet. Sot Shqipëria ka bërë një punë të mrekullueshme. Ne duhet të vazhdojmë ta ruajmë atë. Ne duhet të vazhdojmë të sigurojmë se njerëzit, gazetarët, mediat, investitorët, të gjithë të vazhdojnë të flasin gjëra të mahnitshme për vendin për të siguruar besimin dhe lirinë që në fund të fundit janë vlerat kryesore të këtij sektori ekonomik njerëzor.

Loneta Progni: Ju raportoni se më pak projekte të gjelbra në turizëm janë zhvilluar në Shqipëri në krahasim me vendet fqinje. Si mund të zhvillohet këtu turizmi gjithëvjetor duke respektuar objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm?

Natalia Bayona: Kjo është shumë e rëndësishme. Kur bëhet fjalë për rregulloret dhe stimujt e taksave, ne e kemi parë, ne e kemi bërë këtë udhëzues së bashku me Ministrinë, me ndihmën e disa ekonomistëve, dhe në thelb kjo që ne po bëjmë këtu është të sigurojmë që stimujt nuk kanë të bëjnë vetëm me ndërtimin, është dhe lloji i ndërtesave që po zhvilloni këtu, që janë të qëndrueshme, që përdorin energji të rinovueshme, që janë të përkushtuara për inovacion, që janë të orientuara për punë me vlerë për të rinjtë. Pra, në fund të ditës, të sigurojmë se ka një vlerë të shtuar në mënyrën se si po investoni në vend.

Loneta Progni: Dhe tani, një pyetje për turizmin në mbarë botën. Si ka ecur turizmi përballë sfidave të tilla si pandemia, efektet e saj ekonomike dhe tani me frontet e reja të luftës?

Natalia Bayona: Turizmi ka lulëzuar sërish. Ne kemi rikuperuar 88% të të dhënave kur bëhet fjalë për nivelet para pandemisë. Evropa ka ecuri mjaft të mirë, flasim për rimëkëmbje në nivelin 94%. Sot më shumë se kurrë duhet të sigurojmë që arsimi është aty. Dy të tretat e vendeve anëtare të OECD kanë punonjës me aftësi shtesë të vetëmësuara. Turizmi është punëdhënësi kryesor i të rinjve, por 50% e të rinjve që punojnë në turizëm kanë profesione të tjera. Po dhe po, ne duhet të përfshijmë arsimin në turizëm kudo në shkollat e mesme, trajnime profesionale, trajnime menaxheriale për të siguruar që kjo rritje shkon paralel me zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe punët me vlerë të shtuar.

Loneta Progni: A po planifikoni të vizitoni Shqipërinë herën tjetër si turiste?

Natalia Bayona: Sigurisht që kam dëshirë të jem këtu me vajzën time Mirandën dhe burrin tim Thomas, sepse më pëlqen mënyra se si njerëzit janë vendimtare në turizëm dhe mënyra se si shqiptarët buzëqeshin, janë super të fokusuar në krijimtarinë, janë të fokusuar në promovimin e vendit. Tani më duhet të shkoj në plazhe, pse jo? Dhe do vazhdoj angazhimin me ministren Mirela, do vazhdoj të punoj këtu për të përmirësuar dhe krijuar akademinë me bashkëpunimin tonë, kështu që sigurisht që do të kthehem dy, tre dhe shumë e shumë herë.

Loneta Progni: Faleminderit shumë. Ishte një kënaqësi.

Natalia Bayona: Asgjë, kënaqësia ime. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos