Zhvillimi i turizmit Rama: Pritëm 10 milionë turistë, sfidë të ruajmë natyrën

Nga A2 CNN
8 Prill 2024, 11:36 | Aktualitet

Shqipëria do të jetë vendi pritës i Takimit të 70-të të Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit. Kryeministri Rama renditi arritjet që janë bërë në turizëm, në një vend si Shqipëria, që dikur sipas tij krahasohej me Korenë e Veriut. Sfidë për kreun e qeverisë në hov turistësh, mbetet ruajtja e natyrës.

“Deri para 3 dhjetëvjeçarësh kemi pasur 5 mijë turistë, dhe nuk kanë qenë 5 mijë turistë të zakonshëm, por kanë qenë 5 mijë turistë marksist leninistë, historiku i të cilëve ishte parë me imtësi nga autoritete të atëhershme të cilët vinin nga partitë e majta ekstrem të botës dhe të hynin në Shqipëri, e cila atëherë ishte Koreja e Veriut e Europës.

Ne sot kemi një realitet tërësisht ndryshe me më shumë se 10 milionë turistë që kaluan në Shqipëri vjet, që kanë ardhur pra, kanë ndenjur në Shqipëri dhe me shifra shumë të larta gjatë këtyre muajve të parë të vitit.

Sigurisht që ju të gjithë e dini që ky nuk është vetëm sukses, kjo nuk është vetëm gjë e mirë, në vetvete sigurisht që është, por është dhe një sfidë e madhe sepse ka shumë gjëra për të cilat ne duhet të mendojmë, që duhet t’i zgjidhim në rast se dëshirojmë që Shqipëria të ecë përpara në mënyrë të qëndrueshme, në rast se ne nuk dëshirojmë që Shqipëria ta humbasë bukurinë e saj të veçantë, në rast se duam që Shqipëria të jetë një destinacion ku turizmi të jetë një vlerë e shtuar dhe një vend me anën e të cilit ne krijojmë hapësirën për të festuar dhe kremtuar humanitetin që ne kemi duke bërë bashkë njerëz nga vende nga më të ndryshmet, të çfarëdolloj ngjyre, të çfarëdolloj gjuhe, të çfarëdolloj kulture, të çfarëdolloj historiku që ata mund të kenë dhe për t’i bërë ata të ndihen që kanë ardhur në Shqipëri dhe jo ndokund tjetër.

E këtu e kam fjalën që ne duhet të ruajmë natyrën, ne duhet të ndërtojmë gjëra me arkitekturë të bukur, të mahnitshme dhe ne duhet t’i gërshetojmë këto të dyja”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos