Shqipëria u prezantua si destinacioni i “Giro d’Italia 2025”, Rama publikon pamjet

Nga A2 CNN
14 Janar 2025, 09:42 | Aktualitet

Shqipëria u prezantua si destinacioni i “Giro d’Italia

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet momente nga aktiviteti i “Giro d’Italia” në Romë duke theksuar se Shqipëria u prezantua si destinacioni i këtij viti i Nisjes së Madhe të Giro d’Italia, që do të ndiqet nga 200 televizione të botës e afro 800 milionë shikues.

“Mirëmëngjes dhe me këtë videokartolinë nga Roma, ku Shqipëria u prezantua si destinacioni i sivjetëm i Nisjes së Madhe të Giro d’Italia, që do të ndiqet nga 200 televizione të botës, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë mori pjesë një ditë më parë në eventin dedikuar “Giro d’Italia” në Romë, një prej aktiviteteve më të famshme sportive në botë, ku Shqipëria u përzgjodh mes shumë kandidatëve për të bërë “La Grande Partenza 2025” – “Nisjen e Madhe 2025”.

Në këtë event me pjesëmarrjen e edhe të Zëvendëskryeministrit, njëherazi ministër i Jashtëm i Italisë,Antonio Tajani, kryeministri Rama shoqërohej nga Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako dhe kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha.

Rama ishte i ftuar së bashku me organizatorët e “Giro D’Italia” në Auditorium Parco della Musica Ennio Morricone, një nga qendrat më të njohura të artit dhe kulturës në Evropë.

Kryeministri tha se etapat e garës do të jenë spektakolare pasi nxjerrin në pah natyrën e mrekullueshme të vendit.

Ai theksoi se interesi i turistëve italianë për të vizituar Shqipërinë është rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke e mbyllur vitin 2024 me 1.4 milionë vizitorë italianë.

Gara e famshme popullore, me një traditë 114 vjeçare, do të mbledhë në maj çiklistët më të mirë të botës në Tiranë, Durrës dhe Vlorë dhe do të ndiqet nga qindra milionë teleshikues. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos