Shtyrja e seancës për Berishën, GJKKO: Nuk na u paraqit asnjë kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Gjoka

Nga Armand Bajrami
29 Dhjetor 2023, 16:29 | Aktualitet

Shtyrja e seancës për Berishën, GJKKO: Nuk na u paraqit

Mesditën e së shtunës Gjykata e Posaçme pritet të shpallë vendimin mbi pranimin ose jo të kërkesës së SPAK për dërgimin në "arrest në shtëpi" të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Por vonesa e avokatëve të Berishës për të depozituar në gjykatë një kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, duket se do ta verë sërish në pikëpyetje mundësinë e gjykatës për të shpallur vendimin.

Ndonëse seanca e së enjtes, e treta në radhë, u shty për t'i dhënë kohë avokatëve për të depozituar kërkesën,  ajo nuk mbërriti në gjykatë deri në orën 16:00 të se premtes.

"Ju bëjmë me dije se deri në orën 16.00, në sekretarinë e gjykatës nuk është paraqitur kërkesë me shkrim e avokateve të shtetasit Sali Berisha për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka", njoftoi zyrtarisht Gjykata e Posaçme. Kërkesa ende e padepozituar e avokatëve u artikulua fillimisht në seancën e së enjtes, ku ata pretenduan njëanshmëri nga gjyqtarja Gjoka.

Gjatë dy ditëve të fundit avokatët i kërkuan gjykatës procesverbalet audio të seancave, vendimet e ndërmjetme të gjyqtares Gjoka, por edhe vendimin e gjyqtares Rudina Palloi, që refuzoi një kërkesë të mëhershme për përjashtimin e Gjokës. Të gjitha këto, me pretendimin se do të mbështesnin kërkimin e tyre të ri.

Në këtë gjykim SPAK i kërkon gjykatës së Posaçme të caktojë mazën e sigurisë "arrest në shtëpi" ndaj ish-kryeminsitri Sali Berisha, mbikqyrjen policore gjatë kësaj mase dhe pengimin e komunikimit të tij me persona të tjerë, përveç bashkëjetuesve të tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos