U lënduan në protestën e PD, kreu i policisë së Tiranës viziton në spital tre efektivët

Nga A2 CNN
8 Shkurt 2025, 20:32 | Aktualitet

Rreth dy orë pas përfundimit të protestës së opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, drejtori i Policisë së Tiranës, Elton Alushi dhe zv/drejtori i Rendit kanë vizituar në spital tre efektivët që mbetën të lënduar prej kapsollave që u hodhën në drejtim të kordonit të policisë në momentin kur në podium u ngjit kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Shefi i policisë së kryeqytetit u sigurua që efektivët e lënduar të marrin çdo ndihmë të nevojshme, në bashkëpunim me stafin mjekësor.

Ndërkohë, autoritetet sqarojnë se një efektive pësoi dëmtime në sy, ndërsa dy punonjës të tjerë kanë pësuar lëndime në fytyrë dhe dorë.

Punonjësit e Policisë u shoqëruan menjëherë për marrjen e ndihmës së nevojshme në spital dhe ndodhen nën kujdesin e specializuar të mjekëve.

Sakaq, në terren shërbimet e policisë po grumbullojnë të gjitha provat dhe pamjet filmike, për të identifikuar dhe nxjerrë para drejtësisë autorët që dëmtuan efektivët përmes hedhjes së lëndëve piroteknike drejt tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos