Publikimi fillimisht i lajmit në mediat ndërkombëtare mbi vendimmarrjen e një gjykate amerikane për pezullimin e urdhrit të presidentit Donald Trump për ngrirjen e fondeve financiare amerikane, dhe me pas gjatë ditës ai për vendimin e Shtëpisë së Bardhë për të anuluar si pasojë e vendimit të Gjykatës, urdhrin e mëparshëm ekzkutiv të Presidentit, ka trazuar edhe Shqipërinë.
Por A2 ka mësuar në burime diplomatike se vendimmarrja në fjalë nuk i përket granteve amerikane jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por vetëm granteve brenda SHBA.
Kjo do të thotë që urdhri i presidentit Trump për pezullim të fondeve në botë, dhe ajo që na intereson ne, atyre drejt institucioneve shqiptare mbetet në fuqi.
Përmes një note diplomatike, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka vënë në dijeni Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë për ngrirjen e çdo ndihme financiare amerikane për institucionet shqiptare, me qëllim rishikimin e çdo programi asistence financiare.
Sipas notës në fjalë fondet e SHBA ndërpriten për më shumë se 30 institucione në Shqipëri, përfshi Prokurorinë e Posaçme, SPAK. Po ashtu, fondet janë ndërprerë për 15 ministri, për Parlamentin dhe komisionet e tij, për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe atë të Prokurorisë, për Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, Gjykatat e Posaçme të të dy niveleve, të gjitha gjykatat e zakonshme të Shkallës së Parë dhe të Apelit, Prokurorinë e Përgjithshme, dy Shkallët e Vetingut, Agjencinë Kombëtare për Informacionin, AKSH, Agjencinë SASPAC dhe të gjitha institucionet e pushtetit vendor.
Urdhri ekzekutiv kërkon një pezullim 90-ditor të ndihmës zhvillimore ndërkombëtare të SHBA-së për të vlerësuar efikasitetin dhe “përputhshmërinë me politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”. Ky urdhër i prek shpërndarjet e reja të fondeve për vendet e huaja, OJQ-të, organizatat ndërkombëtare dhe kontraktorët, deri në përfundimin e rishikimeve të programeve.
Më herët, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, dërgoi një mesazh për ambasadat e SHBA-së në mbarë botën, duke sqaruar se ndihma ndërkombëtare do të shpërndahet vetëm në përputhje të plotë me politikën e jashtme të presidentit të Shteteve të Bashkuara.
Fondet ndërpriten deri ne një vendim të dytë për institucionet:
Ministria e Financave, përfshirë Agjencinë e Inteligjencës Financiare
Ministria e Brendshme, duke përfshirë Policinë e Shtetit Shqiptar, Agjencinë e Mbikëqyrjes së Policisë dhe Qendrën e Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Ministria e Drejtësisë, përfshirë Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve
Ministria e Mbrojtjes
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
Ministria e Arsimit dhe Sportit
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale
Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët
Ministria e Shtetit për Pushtetin Vendor
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke përfshirë Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), Operatorin e Sistemit të Transmetimit (OST), Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) dhe Bursën Shqiptare të Energjisë (ALPEX)
Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Kundër Korrupsionit
Ministria e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin
Parlamenti, duke përfshirë komisionet e tij
Këshilli i Lartë Gjyqësor
Këshilli i Lartë i Prokurorisë
Gjykata Kushtetuese
Gjykata e Lartë
Të gjitha gjykatat, përfshirë gjykatat e apelit, gjykatat administrative të apelit dhe gjykatat e shkallës së parë
Struktura e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke përfshirë Prokurorinë Speciale dhe Byronë Kombëtare të Hetimit
Gjykata e Shkallës së Parë të Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm
Inspektori i Lartë i Drejtësisë
Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe Dhoma e Posaçme e Apelimit
Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike (AKSK)
Agjencia Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit (AKSHI)
Ministria e Shtetit dhe Zyra e Kryenegociatorit
Agjencia Shtetërore për Programimin Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmës (SASPAC)
Të gjitha pushtetet komunale (A2 Televizion)