
Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë "arrest në burg" për ish-drejtoreshën e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, e cila akuzohet për përvetësimin e 700 mijë euro, para të destinuara për pensione dhe ndihma sociale.
Gjatë seancës gjyqësore, Prokuroria paraqiti prova të reja, duke pretenduar se Mataj frekuentonte kazino, një rrethanë që është përfshirë në hetimet ndaj saj.
Ndërkohë, Gjykata vendosi masën "arrest në shtëpi" për shefen e Financës, Valbona Duni, dhe arkëtaren Paola Dana, të cilat akuzohen së bashku me ish-drejtoreshën për veprat penale të "Shpërdorimit të detyrës" dhe "Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën", të kryera në bashkëpunim, shkruan A2CNN.
Sipas hetimeve, tre të dyshuarat dyshohet se gjatë muajve prill dhe maj të këtij viti kanë përvetësuar 69 milionë lekë të rinj, shumë që ishte planifikuar të shpërndahej si pensione dhe ndihma sociale për qytetarët e zonave të Durrësit, Shijakut dhe Krujës.
Hetimet nisën pas një kallëzimi të bërë nga Posta Shqiptare, e cila gjatë një kontrolli të brendshëm konstatoi parregullsi në administrimin dhe raportimin e fondeve. (A2 Televizion)