Një tjetër vatër e gripit të shpendëve është zbuluar në fshatin Valare të Gjirokastrës. Autoritetet lokale u njoftuan të premten e shkuar nga familja Graçi, anëtarët e se cilës kishin gjetur të ngordhura 10 prej pulave të tyre.
“Vajta ti hapja në sabah. Në darkë i ushqyem me misër dhe grurë. Vajta në sabah ti hapja, i gjeta 10 krerë të ngordhura. I thërras veterinerit."
Pas ngritjes së alarmit nga familja Graçi veterinerët kanë shkuar në Valare ku kanë djegur dhe groposur të gjitha pulat si dhe kanë marrë mostra. Analizat konfirmuan të shtunën e kaluar prezencën e gripi të shpendëve por autoritetet nuk dolën në një njoftim zyrtar.
“Shkoi materiali dhe ditën e shtunë paradite doli përgjigja që kjo është ngordhje nga gripi i shpendëve.”
Megjithatë veterineri Krenar Veli sqaron se janë marrë masa dhe në monitorim janë disa fshatra.
“Që nga njësia administrative Lazarat deri tek Picari, fshati Kardhiq, Labova, Tërbuçi dhe rrotull fshatit Valare, ku bëhet regjistrimi dhe monitorimi i të gjithë fermave të shpendëve.”
Përveç fshatit Valare, nga informacione zyrtare të shpërndarë nga Ministria e Bujqësisë rezulton se gripi I shpendëve është përhapur edhe në Zall Herr, Paskuqan Nartë dhe Lagunën e Karavastasë. (A2 Televizion)