Mbledhja e plotë e taksës së fjetjes nga çdo bashki do të jetë edhe një ndër masat që do të merren në Ligjin për Turizmin nga 1 janari 2024.
Informaliteti përballë bumit të lartë të turistëve në këtë sezon vërehet edhe në taksa e fjetjes nga e cila as 30% e bashkive nuk arritën të mbledhin asnjë lekë për shkak se nuk lëshohet faturë apo dhe nuk deklarohet numri real i pushuesve.
Kjo taksë varion nga 35 lekë në 350 lekë në varësi të bashkisë dhe mblidhet nga drejtoria vendore e taksave e tarifave.
“Kjo është një taksë që do i shërbej bashkisë për të rritur të ardhurat dhe shërbyer zonave në pastrimin e territorit. Në rast se 8 milionë turistë do paguanin 1 euro me siguri që kushtet e pastrimit dhe territorit do ishin më të mira dhe ne do kërkonim llogari bashkive. Jemi në fazën ku hotelet s’janë të certifikuar me yje, dhe nëse vendoset plotësisht do kalohet në fazën ku hotelet me 4 ose 5 yje do të kenë një vlerë 3 euro dhe të gjitha apartamentet e tjera 1 euro”, shprehet Zak Topuzi, kreu i sektorit të hotelerisë.
Në raportin e vitit 2022 për financat vendore thuhet se 1/3 e bashkive nuk e mbledhin fare këtë taksë, kurse 21 bashki të tjera regjistrojnë nivel të ardhurash që llogaritet në më pak se 1% të ardhurës totale të gjeneruar nga kjo taksë.
Ministria e Turizmit deklaroi se vjelja e kësaj takse do të reformohet, për ta bërë sistemin digjital në mënyrë që netët e qëndrimit të kontrollohen në kohë reale.
Ndërsa për individët të cilët japin me qira ditore pronat e tyre në platformat online, nga 1 nëntori duhet të deklarojnë NIPT-in ose përndryshe do paguajnë 20% TVSH mbi komisionin.
“Sektori ynë i kërkoi ministrisë një hap të rëndësishëm për të sensibilizuar të gjithë operatorët e këtij tregu që të formalizohen. Gati 48% e sektorit të akomodimit ishte jashtë sistemit të tatimeve. Krijoi një situatë të pandershme me hotelet”, shprehet Zak Topuzi, kreu i sektorit të hotelerisë.
Formalizimi i tregut, sipas kreut të sektorit të Hotelerisë, është tashmë një masë e rëndësishme përballë zhvillimit të Shqipërisë në sektorin e turizmit. (A2 Televizion)