1% për çdo një vit! Sa më i vjetër apartamenti, aq më tepër do të ulet çmimi i referencës

Nga Marjo Brakaj
11 Janar 2024, 14:43 | Ekonomi

Sa më i vjetër apartamenti, aq më tepër do të ulet çmimi i referencës në rast të shit-blerjes së tij. Për një banesë në ish-Stacionin e Trenit të ndërtuar në vitin 2000, me sipërfaqe 80 m2 e çmim reference të zonës 135 mijë e 800 lekë, do të aplikohet një ulje 1 për qind për çdo një vit vjetërsi. Pra në këtë rast, mbi referencën do të aplikohet një ulje totale pre 24 për qind dhe kalimi i pronësisë do të bazohet me një çmim total reference 8 milionë e 265 mijë e 640 lekë nga mbi 10.8 milionë që do të ishte.

 “Do të ndihmojë gjithë procesin e shitjes. Do të ndihmojë gjithë pronat e vjetra, të amortizuara, të cilat realisht nuk shiten dot pasi mbi to ka një tatim mbi normalen. Besoj se është ndihmë që lehtëson procesin”, tha Ervin Demirxhiu, ekspert i vlerësimit të pasurive të paluajtshme.

Në një kohë që pas ndryshimeve në kryeqytet mesvitin e shkuar, referencat pritet të rishikohen edhe në zonat bregdetare, udhëzimi i ri i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë do të detyrojë aplikimin e amortizimit 1 për qind edhe për apartamentet jashtë Tiranës.

 “Prona të vjetra kemi gjithandej. Edhe në zonat bregdetare do të ketë lehtësi në procese. Është e gabuar që referenca të aplikohet e njëjta gjithandej. Apartamentet e vjetra deri më tani taksohen si të reja”, shtoi Demirxhiu.

Në raport me vlerësimet e vitit 2018, rritja mesatare e çmimeve të referencës për 32 zonat kadastrale të kryeqytetit korrikun e vitit të shkuar u rritën me 5 deri në 76 për qind apo mesatarisht 29.600 lekë për metër katror. Çmimet e reja të referencës rritën rrjedhimisht vlerën e taksës së pronës për qytetarët dhe bizneset, e cila paguhet në faturën e ujit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos