Ligji për turizmin, qeveria miraton ndryshimet, Kumbaro: Synim formalizmi tregut

Nga Marjo Brakaj
11 Janar 2024, 14:30 | Ekonomi


Ndryshimet në ligjin për turizmin marrin dritën jeshile nga qeveria. Pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ministrja Mirela Kumbaro tha se ky draft është konsultuar me grupet e interesit, dhe synon transparencën nga ana e bizneseve.

“Vizioni i këtij mandati të qeverisë është shumë më i avancuar se sa ligji i vitit 2015 ku realiteti në sektorin e turizmit nuk ishte aspak ky që kemi sot. Ishte e nevojshme edhe në konsultim me shumë përfaqësues të sektorit privat, qoftë për realitetet e reja, kërkesat e reja që vijnë nga konsumatorët për të dhënë garanci më shumë për shërbime cilësore, gjë që gjen garanci më shumë në amendimet që i kemi dhënë ligjit, mbi kërkesat për të pasqyruar disa realitete të strukturave akomoduese të cilat nuk ishin në ligjin ekzistues. Kjo nga njëra anë pasqyron më mirë rregullat e lojës, por nga ana tjetër është një mekanizëm i nevojshëm për formalizimin e tregut të turizmit”, tha Kumbaro.

Ndërsa ministri i Financave, Ervin Mete, bëri të ditur se ligji i ri për turizmin nuk ndryshon asgjë lidhur me taksimin e qiradhënësve individualë. Sipas tij, ky sektor kërkon një vëmendje nga ana e qasjes fiskale.

“Nuk ndryshon gjë për qiradhënësit individual. Por ne do të japim një sqarim, në mënyrë që të jenë sa më të qartë për përgjegjësitë e tyre ligjore, dhe të hyjnë në një qasje sa më bashkëpunuese edhe nga shërbimi i tatimpaguesit, në mënyrë që të ketë një taksim sa më të drejtë.

Ndërsa, ajo që ndryshon me ligjin e sotëm, është vendosja e një dispozite, sipas të cilës për operatorët turistikë do të përcaktohet metodologji për shfrytëzimin e kapaciteteve, sipas sektorëve, e cila pastaj do të jetë metodologji referuese edhe për taksimin e operatorëve, në mënyrë që të ketë një deklarim sa më të drejtë të shfrytëzimit të kapaciteteve të operatorëve turistikë.”

Ndryshimet në Ligjin për Turizmin u ndërmorën në tetor të 2023, ndërsa Shqipëria vitin që lamë pas arriti një rekord prej 10.1 milionë turistësh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos