Rama: Hekurudha për në Kosovë, do të kalojë nga Shkodra. Porti i Romanos me financim të brendshëm

Nga A2 CNN
10 Janar 2024, 15:19 | Ekonomi

Rama: Hekurudha për në Kosovë, do të kalojë nga

Pas mbledhjes në Lezhë, kryeministri Edi Rama ka njoftuar se në rrafshin e projekteve infrastrukturore, planet kanë pësuar disa ndryshime. Pikë së pari, Rama u ndal te hekurudha Shqipëri–Kosovë. Me dakordësinë dhe të palës tjetër, Rama tha se do të ketë një ndryshim të vijës, që do të kalojë nga Shkodra, Gjakova dhe në fund në Prishtinë.

“Kemi komunikuar dhe me Kosovën për ecurinë e projektit të hekurudhës Durrës-Prishtinë. Do ketë një ndryshim të vijës duke kaluar nga Shkodra në Gjakovë dhe në Prishtinë dhe kjo është një zgjidhje shumë e dëshiruar edhe nga pala e Kosovës”, njoftoi kreu i qeverisë.

Nga ana tjetër, Porti i ri i Porto Romano në Durrës, ndërtimi i të cilit ishte parashikuar si një formë financimi me koncesion ose bashkëpunim shtet-privat, në fakt do të financohet nga buxheti i shtetit. Ndryshimin e skemës së financimit, me vlerë rreth 410 milionë euro, e njoftoi vetë Rama. Kjo për shkak që të mos ketë zvarritje nga ngarkesat që burojnë nga financimi i huaj, pasi ky projekt ka natyre urgjente për qeverinë, argumentoi ai.

“Po ashtu, kemi kalendarizuar procesin për hapjen e garës për portin e Durrësit, Porto Romano, për të cilin do bëjmë një ndryshim të natyrës së financimit, është projekt strategjik dhe ka një urgjencë strategjike sepse kemi përfshirë dhe NATO-n. Do kalojmë me financim të brendshëm që mos varemi nga kohët e tejzgjatura dhe ngarkesat e tjera që burojnë nga financimet e huaja”, tha Rama në nisje të komunikimit.

Porti tregtar po zhvendoset në Porto Romano, për shkak se në Durrës do të ndërtohen porti turistik.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi