Rritja e kostove të jetesës me në krye çmimet e larta ka bërë që qytetarët të mos kenë mundësinë e vendosjes së disa lekëve mënjanë.
Shqiptarët po kursejnë më pak para. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se stoku i depozitave në muajin mars arriti në 1.3 trilionë lekë ose thënë ndryshe 20 miliardë lekë më pak se në muajin janar.
Stoku i depozitave i është drejtuar tatëpjetës në 3 muajt e parë të vitit, por krahasuar me një vit më parë, kursimet e qytetarëve kanë qenë më të larta. Sipas ekspertëve është rritja e normave të interesit e cila bëri që 1.26 trilion kursime në mars 2023 të arrinin në 1.30 trilion në mars 2024.
“Lëvizjet brenda përbrenda muajve pjesë e dinamikës së ekonomisë së vendit. Nëse e krahasojmë me një vit më parë futemi në analizë. Fakti që është rritur tregon që rritja e normave të interesit e ka kryer misionin e saj. Rritja e normës së interesit të lekut e cila u reflektua për depozitën e bëri më pak atraktive mbajtjen e cashit në disponim dhe depozitimit të tij në bankë. Çka është dhe misioni i Bankës së Shqipërisë ka arritur misionin për të hequr para nga qarkullimi dhe vendosjes në banka”, u shpreh Pano Soko, ekspert ekonomie.
Për shkak të zhvlerësimit të monedhës europiane më shumë qytetarë po I kthejnë kursimet e tyre nga euro në lekë.
Ndalur sipas monedhës, kursimet në lekë në muajin mars regjistruan një rritje me 7% krahasuar me njëjtën periudhë të një viti më parë duke arritur në 588 miliardë lekë. Ndërsa ato në valutë edhe pse më të larta shënuan një rënie me 6.9 miliardë lekë, duke qëndruar në nivelin e 713 miliardë lekëve.
“Fakti është që leku po forcohet , po jep performancë të mirë. Leku është i qëndrueshëm dhe psikologjikisht ofron siguri dhe shohim që këto depozita po rriten. Fokusi i qytetarëve kjo ka qenë dhe ata me mënyrën e thjeshtë empirike të perceptimit edhe përball dollarit apo paundit, shohin lekun më mirë”, shton Soko.
Mbi 2.6 milionë shqiptarë jo vetëm rezidentët por dhe ata të cilët jetojnë jashtë Shqipërisë kanë depozita të kursimit në bankat e nivelit të dytë në vend. (A2 Televizion)