Aktualisht 1 në 4 i pajisur me nipt! Fermerët të gatshëm të paguajnë taksa, por duan diçka në këmbim

Nga Marjo Brakaj
27 Prill 2024, 17:02 | Ekonomi

Bujqit e blegtorët shqiptarë që kultivojnë zarzavate apo rrisin bagëti janë të gatshëm të paguajnë taksa, por duan diçka në këmbim. Për të përfituar naftë falas apo masat e tjera mbështetëse, gati 12 mijë fermerë të tjerë u pajisëm e NIPT vitin e fundit. Në fund të 2023-shit, numri i fermave bujqësore të formalizuara arriti në mbi 96 mijë nga pak më shumë se 84 mijë në vitin 2022.

“Jemi shumë larg asaj që do të ishte një ndihmë e mirë ekonomike. Në rajon një blegtor përfiton nga  3-4 skema dhe merr 3-4 mijë euro për hektarë apo bagëti, kjo po që është një mbështetje për punë e tij”, tregon Ilir Piku, ekspert i sektorit bujqësor.

Megjithatë, numri i fermave bujqësore të formalizuara vijon të mbetet tejet i ulët në raport me totalin. Referuar të dhënave nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në vend ka rreth 355 mijë ferma bujqësore, nga të cilat më pak se 27 për qind të formalizuara.

“Skemat e subvencioneve janë minimaliste. Nëse do të flisnim për vendet fqinje, skemat janë mbështetëse dhe ekonomike. Në Shqipëri, ju vetëm imagjinoni që një fermer që ka 1 ha pemtore dhe me 70 euro, për farë mund t’i shërbejnë këto para?”, shtoi Piku.

Për herë të parë këtë vit në skemën mbështetëse të bujqësisë u lejua dhe aplikimi në grup. Kjo me qëllim bërjen të mundur të përftimit të këtyre të fundit dhe nxitjen e formalizimit. Po për ekspertë të sektorit, kjo skemë nuk i shërben formalizimit.

“Sepse ne duhet t’i nxisim fermerët të formalizohen, të krijojnë shoqëri të përbashkëta, të formojnë kooperative dhe jo të firmosur një letër për të përfituar nga skema. Për mua kjo mënyrë shton më shumë informalitetin”, përfundoi eksperti.

Nga skema mbështetëse në bujqësi dhe blegtori këtë vit mesatarisht një fermer përfitoi 46 mijë lekë. Këtë vit u shtuan përfituesit, por fondi në dispozicion ishte më i vogël se në vitin 2023. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos