Më shumë informalitet, largime nga vendi dhe rritje të çmimeve. Këto pritet të jenë efektet e zbatimit të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” te bizneset e profesioneve të lira. Vetëm në sektorin e teknologjisë së informacionit, shërbimet pritet të shtrenjtohen me 10 për qind.
“Sepse ne nuk na njihen si shpenzime të zbritshme ato që kanë të bëjnë me blerjet që ne kryejmë për të ofruar këto shërbime”, tha Tomi Kallanxhi, sipërmarrës në fushën e IT i ftuar në A2 Business nga Aurora Sulçe.
Nga ana tjetër, taksimi me 15 deri në 23 për qind i profesionistët e lirë pritet sa të dekurajojë sipërmarrjet e reja aq edhe të shtyjë drejt mbylljes bizneset aktive.
“Sepse askujt nuk do t’i leverdisë më të ofrojë shërbime për aq kohë sa mbi të do të rëndojnë më shumë taksa”, u shpreh Armand Hasko, ekspert kontabël.
Për të shmangur këto rreziqe, me argumentin se ligji cenon veprimtarinë e profesionistëve të lirë në disa drejtime, në Gjykatën Kushtetuese janë depozituar kërkesa për shfuqizimin e tij.
“Arsyeja kryesore e dërgimit të kërkesës për shfuqizimin e ligjit është antikushtetutshmëria, duke marrë në konsideratë cenimin e barazisë, së profesionit, të shtetit të së drejtës apo dhe të konkurrencës”, tha Aigest Milo, avokat.
Në total, sipas Ministrisë së Financave, në regjimin e ri tatimor do të përfshihen deri në 29 mijë biznese të profesioneve të lira. “Financat” përllogarisin se deri 90 për qind e totalit të bizneseve përfshihen në fashën e të ardhurave vjetore deri në 14 milionë lekë në vit, që do të tatohen me normë 15 për qind. (A2 Televizion)