Gjykata Kushtetuese pranoi padinë e Partisë Demokratike për ligjin e tatimit mbi të ardhurat që prek profesionet e lira. E teksa pritet shqyrtimi i çështjes dhe vendimmarrjes mbi këtë ligj që hyri në fuqi nga 1 janari i këtij viti, të vetëpunësuarit kanë nisur ta kuptojnë efektin real të ndikimit mbi ta, tani që nis zbatimi i tij.
“Prezumimi ku fillon është antiligjor, nuk mund të fillosh me diçka që nuk është e saktë dhe të ndërtosh deklaratat e mia të pasardhshme”, u shpreh avokatja, Margarita Kola.
Pas njoftimit të Drejtorisë së Tatimeve për pagesën e kësteve të tatim-fitimit, avokat, auditues, kontabilist, punonjës IT etj., kanë ngritur shqetësimet e tyre në një dëgjesë të zhvillluar me grupet e interesit në Kuvend nga deputetja demokrate, Jorida Tabaku.
Llogaritja e kësteve mbi fitimet e një viti më parë sipas të vetëpunësuarve është penalizimi kryesor që ligji mbi tatimin mbi të ardhurat po ju sjell.
“Ne nuk na kanë ardhur të llogaritura në 15% të paktën për mua që se kaloj 80% më ka ardhur 23%. Janë gabime të tilla skandaloze”, deklaroi Oriola Kajo, profesion i lirë, ITA.
“Në vitin 2024, po tatohemi me një shumë parash që nuk është e garantuar që unë atë fitim mund të arrij ta fitoj në 2024. Pasi unë jam tatuar me një normë bazuar në 2023”, shprehet, Jul Hoxha, kontabilist.
“Tatim fitimi i paguar për vitin paraardhë s’është zero e llogarisni vet sa del”, shprehet Enea Saraçi, auditues ligjor.
“Tatimi i ri për këtë kategorie duhet të llogaritet në bazë të parashikimit që unë kam jo më para. Kjo llogaritja në bazë të vitit të kaluar bie ndesh me nenin 155.”
Sipas zonjës Tabaku që kur u mësua qëllimi i qeverisë për të future në skemën e tatimit edhe profesionet e lira, mijëra biznese nisën të mbyllin aktivitetin.
“Nga një komunikim që kemi pasur zyrtarisht me Qendrën Kombëtare të Biznesit, të paktën në 6 muajt e fundit që nga njoftimi zyrtar, kemi 11.000 biznese të vogla që lidhen me këtë kategori të cilët janë deklaruar të mbyllur. Kjo është një shifër jashtëzakonisht e lartë, një shifër që këdo që është në vendimmarrje do ta bënte të reflektonte, por fatkeqësisht nuk kemi pasur asnjë reflektim.”
Sipas Tabakut kjo çështje nuk po merr parasysh interest e popullit, për më tepër vjen në cenim të Kushtetutës. Në këtë drejtim deri më datën 21 maj do të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese të gjitha kundërshtitë dhe argumentat e grupeve të interesit.
Ky i Partisë Demokratike nuk është i vetmi ankim i bërë në Kushtetuese për ligjin e tatimit të profesioneve të lira. (A2 Televizion)