Shteti kërkon punonjës! Ulen kriteret për disa pozicione drejtuese

Nga Marjo Brakaj
25 Prill 2024, 16:20 | Ekonomi

“Unë ju ftoj të gjithëve të klikojnë në faqen e DAP-it, unë ju ftoj të gjithë të provojnë dhe njëherë tjetër të punojnë në shtet. Unë e kuptoj se shumë janë të zhgënjyer. Kanë frikë për të firmosur, kanë frikë nga hetimet”, ka thënë Blendi Gonxhja, ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Vetëm një ditë pas thirrjes së ministrit të ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit, qeveria vendosi hapjen e procedurës së pranimit në kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese edhe për kandidatë jashtë shërbimit civil. Po a është kjo vendimmarrje rrjedhojë vetëm e dështimit të konkurseve në administratën publike për të punësuar individë të kualifikuar?

“Përpjekjet për të zgjeruar mbështetjen politike janë rritur në raport me më parë. Kjo edhe pse qeveria duket e qetë para opozitës. Po harxhohen paratë publike në interes të mazhorancës politike”, u shpreh Zef Preçi, ekspert për ekonominë.

Aktualisht mbi 1 në katër të punësuar në të gjithë vendin sot, apo 26% e totalit janë të punësuar në shtet. Për të kuptuar se sa e fryrë është administrata publike në Shqipëri mjafton të themi se në Bashkimin Europian punësimi në shtet zë 16% të totalit, ndërsa në Gjermani vetëm 11 për qind.

“Përdorimi i administratës publike për zgjedhjet është fakt i diktuar edhe nga institucionet e BE. Madje nde kemi punonjës që sistemi TIMS i tregoj jashtë vendit dhe ata vijojnë të paguhen në administratën publike”, u shpreh Preçi.

Në total, me gjithë bashkitë, administrata publike shqiptare përbëhet nga mbi 184 mijë punonjës. Këtë vit, shpenzimet për të paguar rrogat e tyre janë planifikuar në masën 119.7 miliardë lekë. Kjo shifër është sa 5% e gjithë Prodhimit të brendshëm bruto të Shqipërisë në një vit.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi