Gati 1 milionë euro në më pak se një javë. Kaq para ka fituar Korporata Elektroenergjetike Shqiptare nga shitja e energjisë elektrike si rrjedhojë e mbushjes së hidrocentraleve nga shirat e dendur.
Në total janë eksportuar në vendet e tjera 10 mijë e 790 megavatorë energji vetëm ditën e fundit. Ndërkohë që çmimi me të cilën është shitur energjia ka variuar nga 54 deri në 85 euro për megavator.
Në rikthimin e KESH te eksportet ndikim ka pasur veçanërisht mbushja e Fierzës. Hidrocentrali më i madh në kaskadën e Drinit ka aktualisht 292 metër ujë nga 296 metër që është kuota maksimale.
Situata e mirë hidrike po rezulton në vijimësi nga viti i shkuar. Sasia e energjisë elektrike së prodhuar në vend arriti në gati 8,8 milionë megavat-orë gjatë 2023-shit. Ky është niveli i dytë më i lartë i shënuar në historinë e vendit, pas rekordit të vitit 2021.
Prodhimi më i lartë se konsumi bëri që vendi ta mbyllë vitin e shkuar me një bilanc pozitiv prej më shumë se 900 mijë megavat-orë energji tepricë. Ndërkohë qeveria ka shpallur si objektiv që me anë të diversifikimit të burimeve të prodhimit, Shqipëria të kthehet në vend eksportues neto në vitin 2030. (A2 Televizion)