Një pjesë të dënuar e të tjerët në pritje të një vendimi nga gjykata, në 20 burgjet e vendit qëndrojnë aktualisht 5 mijë e 301 vetë. Pjesa më e madhe, mbi 3 mijë janë të paraburgosur ndërsa 2 mijë e 263 qëndrojnë në qeli si të dënuar.
Kosto ditore për çdo të dënuar, ku përfshihen shpenzimet për ushqim, siguria, trajnimi i stafit policor apo shërbimi shëndetësor dhe ai social përllogaritet në 3 mijë e 400 lekë, ndërsa për të paraburgosurit 2 mijë e 800 lekë. Çdo ditë për këto dy kategori të dënuarish dalin nga buxheti i shtetit mbi 16.2 milionë lekë, ndërsa kosto mujore shkon në gati 500 milionë lekë.
Por zbatimi i amnistisë penale nga e mërkura pritet të lehtësojë kostot. Janë rreth 700 të burgosur do të lirohen menjëherë, ndërsa 400 të tjerë përfitojnë ulje dënimi. Marrë parasysh një kosto ditore mesatare për secilin prej tyre në vlerën e 3 mijë e 400 lekëve buxheti do të kursente gati 2.4 milionë lekë në ditë apo 71.4 milionë lekë në muaj. Marrë në harkun e një viti, nga arka e shtetit do të dalin gati 860 milionë lekë apo 8.5 milionë euro.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, burgu i Drenovës në Korçë dhe ai i Shën Kollit në Lezhë janë të mbipopulluar. Ndërkohë, në prag të mbushjes janë edhe disa Institucione të tjerë të Ekzekutimit të Vendimeve Penale. Veç kostove, amnistia pritet t’i shërbejë edhe lehtësimit të burgjeve në drejtim të kapaciteteve. (A2 Televizion)