
Historiani dhe ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, ka vlerësuar se Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, duhet të marrë një rol aktiv si ndërmjetësues për të ulur tensionet e krijuara nga protesta qytetare.
I ftuar në emisionin “Puls”, me gazetaren Bruna Çifiku, Milo tha se Shqipëria ka nevojë për funksionimin e mekanizmave institucionalë të ndërmjetësimit, duke theksuar se ende nuk është vonë që ata të vihen në lëvizje.
“Ekziston një mekanizëm institucional ndërmjetësimi që duhej të ishte vënë në lëvizje dhe nuk është vonë që të vihet në lëvizje.
Ky institucion duhet të luajë rolin e vet, sepse në fund të fundit jo vetëm që kryen detyrën e tij, por u dëshmon edhe shqiptarëve, edhe botës se institucionet në Shqipëri janë funksionale”, u shpreh Milo.
Sipas tij, edhe kur ka mosmarrëveshje, përplasje apo tensione politike e shoqërore, Presidenti i Republikës, si institucion mbi palët, duhet të ndërhyjë në momentet kur situata e kërkon.
“Ka një institucion që supozohet të jetë mbi palët, sepse këtë të drejtë ia jep Kushtetuta. Ai nuk duhet të rrijë spektator, por të ndërhyjë në një moment të caktuar dhe të bëhet aktor në zgjidhjen e situatës”, deklaroi ai. (A2 Televizion)