"Kush kishte për të ikur, iku!" Bie numri i kërkesave për azil

Nga Marjo Brakaj
25 Prill 2024, 18:56 | Ekonomi

Vetëm një në 25 shqiptarë që aplikoi për azil në një nga 27 vendet e Bashkimit Europian në dy muajt e parë të vitit u pranua. Të dhënat nga Agjencia e Bashkimit Europian për Azilin tregojnë se nga gati 1 mijë e 400 kërkesa, vetëm 56 vetë fituan statusin e azilantit.

“Është e pajustifikuar që një qytetar shqiptar të kërkoj azil në vendet e Bashkimit Europian pasi vendit është i sigurt, nuk kemi ndonjë luftë apo situata të tjera emergjente. Ato raste që pranohen kryesisht janë të lidhura me nevoja shëndetësore. Pjesa tjetër është e destinuar për të mos u pranuar”, tha Nirvana Deliu, eksperte e çështjeve të emigracionit.

Ndërkohë kush kishte për të ikur, iku. Të dhënat nga Agjencia për Azilin e Bashkimit Europian tregojnë numri i shqiptarëve që aplikojnë për azil po ulet. Në raport me periudhën janar-shkurt 2023, këtë vit pati gati 17 për qind më pak kërkesa. Po çfarë po ndikon në uljen e numrit të kërkesave për azil? 

“Në radhë të parë është legjislacioni, strategjitë. Strategjia për menaxhimin e emigracion dhe kufijve. Është punuar gjithashtu në drejtim të ndërgjegjësimit, por ende k nevojë për fushata promovimi”, u shpreh ekspertja.

Të dhënat nga Agjencia e Bashkimit Europian për Azilin tregojnë se në harkun e muajve janar-shkurt, pjesa më e madhe e shqiptarëve kërkuan azil në Francë, ndjekur nga Italia, Gjermania, Belgjika dhe Greqia.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Debat nga Alba Alishani