Pullat fiskale që shoqërojnë paktet e cigareve, ilaçet, birrat apo verërat nuk do të importohen apo prodhohen nga kompania koncesionare por nga vetë shteti. Ministria e Financave ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin “Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë” duke mos rinovuar kështu më kontratën me shoqërinë SICPA.
“Sa i përket procedurës së porositjes së pullave fiskale, ajo mbetet e njëjtë, por pagesat e çmimeve të pullave fiskale dhe kostove të dërgesave do ti paguhen personit të autorizuar nga Këshilli i Ministrave. Çmimi për çdo pullë fiskale të prodhuar dhe të shpërndarë nga personi i autorizuar përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave”, tha Ministria e Financave.
Pasi të merret edhe mendimi nga Ministrisë së Drejtësisë, ajo e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, baza ligjore do të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm.
“Të gjithë prodhuesit dhe importuesit, të cilëve, sipas ligjit, u kërkohet të aplikojnë pullën fiskale i paguajnë personit të autorizuar çmimin e pullave të përcaktuar me Vendim të Këshillit të Ministrave”, tha Ministria e Financave.
Aktualisht tarifa e pullave fiskale është 22,4 dollarë për 1,000 copë, ndërsa në Europë çmimi mesatar i pullave fiskale është 3 dollarë për 1,000 copë, në Kosovë 2,2 dollarë. Sipërmarrësit vendas paguajnë gati rreth herë më shumë në raporti me çmimin mesatar të pullave në Europë. Kontrata e firmosur në vitin 2010 me qëllim parandalimin e tregtisë së paligjshme dhe informatin iu ka kushtuar shqiptarëve mbi 85 milionë euro. (A2 Televizion)