Sondazh: Çfarë ju pengon për t'u ushqyer shëndetshëm?
  • Çmimet e larta 50%
  • Mungesa e kohës 33%
  • Mungesë motivimi 0%
  • Lodhja fizike 17%

Besimi te ekonomia, bizneset dhe qytetarët thonë se gjendja nuk është e mirë

Nga Mario Brakaj
1 Mars 2024, 15:32 | Ekonomi

Për të dytin muaj me radhë, qytetarët dhe sipërmarrësit shqiptarë mendojnë se ekonomia nuk po shkon mirë. Në pyetësorin e përmuajshëm që Banka e Shqipërisë bën, treguesi i ndjesisë ekonomike që mat aftësinë e bizneseve për të kryer investime dhe konsumatorëve për të shpenzuar, vijoi rënien me 2,6 pikë përqindje edhe në shkurt.

Shpëtim Agolli, ekspert për ekonominë, shprehet për A2 CNN: “Muaji shkurt gjithmonë është një muaj që priten rënie. Përgjithësisht në ekonomi dhe veçanërisht te besimi i bizneseve dhe konsumatorëve. Kjo për shkak se pjesa më e madhe e shpenzimeve kryhen në dhjetor e janar”.

Pavarësisht shifrave në rritje edhe jashtë sezonit veror, besimi i bizneseve në fushën e shërbimeve ku përfshihen supermarketet, baret e restorantet ra me 2,2 pikë. Për të gjashtin muaj me radhë, edhe bizneset në sektorin e tregtisë u shfaqën më pesimiste. Treguesi i besimit në ekonomi nga sipërmarrjet në këtë sektor ra me plot 10.

“Kjo pasi sipërmarrjet në këta sektorë i frikësohen rënies së kërkesës për konsum, shoqëruar nga vështirësitë në gjetjen e punonjësve. Nga ana tjetër ka rënie të prodhimit dhe konsumit”, deklaron Agolli.

Të frikësuar nga një rrije e mëtejshme e çmimeve, me të ardhurat në vendnumëro, edhe qytetarët janë shprehur më pesimistë në shkurt. Besimi i qytetarëve në ekonomi në shkurt ra me 0,7 pikë, duke regjistruar kështu nivelin më të ulët në një vit.

Kjo në një kohë që inflacioni ka qenë në rënie dhe Banka e Shqipërisë ka lajmëruar se treguesi pritet të rikthehet në objektiv në fillim të vitit të ardhshëm. 

“Megjithëse jo me të njëjtat ritme, kriza e çmimeve ka vijuar. Ne jemi të ndërgjegjshëm se po paguajmë më shumë”, thekson Shpëtim Agolli.

I vetmi sektor që beson se ekonomia po shkon mirë është ndërtimi. Besimi në shkurt në këtë fushë të ekonomisë regjistroi rritje me 6,8 pikë përqindje në shkurt, duke qëndruar rreth 20 pikë përqindje mbi mesataren historike.

A2 CNN Livestream

Dita jonë