Nisma dhe marrëveshje që i lënë vendin njëra-tjetrës, ministeriale e samite që përmbyllen me zotime për bashkëpunim, por ky i fundit nuk po ndodh. Përkundrazi! Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor po largohen nga njëri-tjetri, të paktën në një drejtim... atë të tregtisë së jashtme.
Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë importet nga Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje-Hercegovina gjatë vitit të shkuar ranë mesatarisht me 27 për qind në krahasim me 2022-shin.
“Kemi më pak blerje. Kjo për shkak të efekteve të inflacionit. Të gjitha vendet e Rajonit dhe më gjerë janë prekur.”, thotë Alban Zusi, kryetari i Shoqatës së Eksportuesve.
Paradoksalisht me pritshmëritë, rënia më e fortë e importeve gjatë vitit të shkuar është regjistruar me dy vendet e Rajonit me numrin më të lartë të marrëveshjeve të firmosura, Malin e Zi dhe Kosovën.
“Është krijuar një mosbesim mes Kosovës dhe Shqipërisë. Sipërmarrësit shqiptarë bëjnë biznes me çdo drejt, veç shqiptarëve të Shqipërisë. Nëse do të merrnim të mirëqena ato që firmosin politikanët, do të thosha se jemi të marrë fund.”, tha Safet Gërxhaliu, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës.
Ecuri e ngjashme rezulton edhe në kahun tjetër, atë të eksporteve, Kompanitë shqiptare shitën 6.5 miliardë lekë më pak mallra në Serbi, 3.7 miliardë në Maqedoninë e Veriut dhe 300 milionë lekë më pak në Bosnje-Hercegovinë. Eksportet rezulton të jenë zgjeruar vetëm me Malin e Zi dhe Kosovën.
“Në Kosovë ne kemi humbur dy nga tregjet kryesore. Frutat dhe perimet dhe materialet e ndërtimit. E njëjta ka ndodhur edhe me shtetet e tjera të Rajonit.”, vijoi më tej Zusi.
“Dhen lënë populizmat me Open Balkan apo nisma të tjera. Duhen masa konkrete për të rritur bashkëpunimn e vendeve të Ballkanit Perëndimor.”, vijoi Gërxhaliu.
Në tkurrjen e shkëmbimeve tregtare mes vendeve të Rajonit ndikim ka pasur edhe koha e gjatë e pritjes së kamionëve në pikat doganore. Ndonëse në zbutje të lehtë, për të eksportuar e importuar produkte kamionët pritën mesatarisht 1 orë e 20 minuta. (A2 Televizion)