Për likuiditet e blerje banesash, bizneset dhe qytetarët iu drejtuan më shumë bankave këtë fillimvit

Nga Mario Brakaj
28 Shkurt 2024, 17:13 | Ekonomi

Në këtë fillimvit, si qytetarët, por dhe sipërmarrësit shqiptarë trokitën më shpesh në dyert e bankave në vend. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se 11 bankat tregtare dhanë 23.3 miliardë lekë kredi gjatë janarit, një rritje me 41.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar.

Sipas segmenteve kryesore të tregut, kredia e re shënoi rritje si për ndërmarrjet private, ashtu edhe për individët.

Parashikimi i Bankës së Shqipërisë se në tremujorin e parë të 2024 standardet e kreditimit priten të lehtësohen disi në segmentin e biznesit të vogël e të mesëm, duket se i ka nxitur edhe më tej këto kategori për të marrë më kredi.

Kredia për ndërmarrjet private arriti në 16.7 miliardë lekë. Një rritje me 68.7% krahasuar me janar 2023. Është nevoja për likuiditet që e nxit këtë sektor të huazojë më shumë edhe në fillimvit teksa lidhin dhe kontratat e reja.

Nga ana tjetër individët morën më pak kredi se bizneset, por më shumë hua se janar 2023. 6.6 miliardë lekë ose një rritje me 8.1% regjistron kredia për individët e dhënë nga bankat në vend. Qytetarët kryesisht u drejtuan bankave  për të blerë shtëpi.

Në vrojtimin e fundit të aktivitetit kreditues Banka Qendrore vlerëson se nga ana tjetër kërkesa për huamarrje do të vijojë të jetë e lartë, veçanërisht në muajt e parë të vitit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos