Patriot edhe pas vizave? Gati gjysma e turistëve në 2023-n ishin nga Kosova

Nga Marinela Lina
27 Shkurt 2024, 15:15 | Ekonomi

Gati gjysma e turistëve që vizituan Shqipërinë në 2023 ishin nga Kosova. Nga 10.1 milionë turistë vitin e kaluar, 4.3 milionë ishin shqiptarë nga Kosova ose thënë ndryshe rreth 43% e totalit.

2024 pritet të jetë një vit prove për Shqipërinë edhe për vizitorët nga Kosova, të cilët që nga 1 janari po udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Schengen.

A do të thotë kjo një braktisje e bregdetit shqiptarë nga qytetarët e Kosovës këtë sezon veror dhe kërkim i destinacioneve të tjera turistike në Europë?

“Target kryesor për kosovarët është Shqipëria. Pavarësisht se është normale që njerëzit te lëvizin. Edhe nëse shkojnë në Greqi megjithatë Shqipëria është target. Të paktën turizmin e fundjavës do e frekuentojnë shumë.”

Nga viti në vit numri i qytetarëve kosovarë që vizitojnë Shqipërinë sidomos për të kaluar fundjavën është dyfishuar (grafik). Por sipas ekspertëve këtë vit Shqipëria mund të përdoret edhe si një vend tranzit duke përdorur aeroportin “Nënë Tereza” për të udhëtuar drejt shteteve të tjera.

Vetëm në janar Shqipëria u përdor si transit nga mbi 20 mijë udhëtarë. Mbi 116 mijë persona janë larguar më shumë nga Kosova në muajin janar të këtij viti krahasuar me janarin e vitit 2023.

Ndërsa mbi 70 mijë aplikuan një muaj më parë për t’u pajisur me pasaporte, tregues ky për një lëvizje lirisht në shtetet e tjera. Shqipëria synon që këtë sezon veror të mirëpresë më shumë se 13 milionë turistë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos