Hekurudha Vorë-Hani i Hotit, Shqipëria nënshkruan marrëveshjen e huas në Londër

Nga A2 CNN
26 Shkurt 2024, 16:07 | Ekonomi

Hekurudha Vorë-Hani i Hotit, Shqipëria nënshkruan

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, njëherësh kryeministrja Belinda Balluku, ka nënshkruar në Londër këtë të hënë me Presidenten e BERZH marrëveshjen e huasë për ndërtimin e linjës hekurudhore Vorë - Hani i Hotit.

“Në Londër me Presidenten e BERZH, Odile Renaud-Basso, nënshkruam marrëveshjen e huas për ndërtimin e linjës hekurudhore Vorë - Hani i Hotit.

Një projekt i rëndësishëm për ne dhe rajonin, i cili do të rrisë komunikimin mes vendeve, duke nxitur e lehtësuar lëvizjen e qytetarëve”, shkruan ministrja në postimin e saj në rrjetet sociale ku ka ndarë edhe disa foto nga nënshkrimi i marrëveshjes së huas.

Hekurudha Vorë-Hani i Hotit është një nga linjat për të cilën ka pasur vëmendje të shtuar pas punës së nisur për rehabilitimin e linjës Tiranë-Durrës dhe pjesës së re në Rinas teksa vetëm pak ditë më parë u mbyll edhe kontrata për studimin e fizibilitetit të lidhjes me Kosovën Durrës-Prishtinë.

Vlera totale e projektit është 356 milionë euro, teksa do të jetë bashkëfinancim nga një sërë institucionesh financiare ndërkombëtare, ku vendi ynë ka kërkuar hua.

Kështu të paktën 160 milionë euro janë grant nga Korniza për Investime në Ballkanin Perëndimor, 100 milionë euro janë hua nga BERZH dhe 100 milionë euro të tjera nga Banka Europiane e Investimeve. Projekti synon rehabilitimin dhe ndërtimin e 120 kilometrave linjë hekurudhore.

Projekti është pjesë e zgjatimit të Rrjetit Kryesor të Transportit Trans-Europian TEN-T në Ballkanin Perëndimor, i cili do të lidhë Shqipërinë me rrjetet hekurudhore rajonale dhe europiane përmes Korridorit X pan-Europian.

Hekurudha Vorë-Hani Hotit kalon në shtatë bashki dhe përshkon Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë, me drejtim nga Jugu në Veri. Hekurudha lidh qendrat urbane të Vorës, Mamurrasit, Laçit, Milotit, Lezhës, Shkodrës dhe Koplikut.

Ajo kalon kufirin shtetëror Shqipëri/Mal i Zi në Hanin e Hotit (km 140). Sipas ndarjes administrative, hekurudha përshkon territoret e shtatë bashkive (Vorë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Vau Dejës, Shkodër dhe Malësi e Madhe).

Linja ekzistuese hekurudhore Vorë – Hani i Hotit u ndërtua në dy faza: nga Vora në Laç në fillim të viteve 1960, ndërsa nga Laçi deri në kufirin e Shqipëri-Mali i Zi, në vitin 1985.

Tërmeti i 29 nëntorit 2019 ndërpreu funksionimin e kësaj linje për shkak të dëmtimit të urës mbi lumin Ishëm por edhe më herët shpejtësia e kalimit të trenave ishte shumë e ulët.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli