Eksportet e nisin keq edhe 2024! Ranë me 30% në janar, Shoqata: Po kthehemi në ’92

Nga Marinela Lina
20 Shkurt 2024, 14:51 | Ekonomi

As viti i ri nuk ka nisur mbarë për ta. Eksportet kanë marrë tatëpjetën, teksa në janar 2024 regjistrojnë një rënie me rreth 30% krahasuar me janarin e një viti më parë. Të dhënat e Institutit të Statistikave bëjnë të ditur se 29 miliardë lekë ishte totali i fitimeve të sektorit, nga 42 miliardë në të njëjtën periudhë të një viti më para. Kjo është rënia më e madhe që ky sektor regjistron që nga koha e pandemisë.

“Mendojmë që do jetë më e thellë kriza në muajt në vazhdim. Kemi humbur konkurrueshmërinë nga ana tjetër dhe mosgjetjen e lëndëve të para, si pasojë e kanalit të Suezit. Por dhe fuqia blerëse në vendet evropiane. Impakti social kjo që po ndodh po humbin çdo ditë vendet e punës.”

Me përjashtim të eksporteve të produkteve ushqimore dhe produkteve kimike që janë në rritje të lehtë, grupet e tjera kanë ndikuar negativisht si minerale, lëndë djegëse, tekstile dhe këpucë, materiale ndërtimi dhe metale.

Në janar, qeveria shpalli edhe një paketë masash për sektorin e eksporteve, duke filluar nga rimbursimi i shpejtë i TVSH-së, overdraftet për likuiditetin, garancia sovrane etj, por që ende nuk ka gjetur zbatim sipas eksportuesve.

“Në rast se do bëhet reale dhe në mënyrë urgjente dhe të shpejtë, efektet do ndihen shumë shpejt.”

Nga ana tjetër, importet në vend kanë shënuar rritje në këtë fillimvit. 60 miliardë lekë importuam mallra me një rritje 3,4 %, krahasuar me janarin 2023.

“Për fat të keq siç po shohim, importi po mposht prodhimin vendas dhe eksportuesit, frika jonë që kemi thënë është që do kemi vitet '92, ku Shqipëria ishte importuese dhe aspak eksportuese.”

Për shkak të rënies së eksporteve dhe rritjes së importeve në muajin e kaluar, u thellua deficiti tregtar, i cili u rrit me 88.6% në raport me janarin 2023. Ky deficit në janar 2024 është dyfishuar krahasuar me dy vite më parë.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu