Emigrantët shqiptarë iu dërguan familjeve të tyre rreth 1.5 miliardë euro vitin e shkuar, për të cilat paguan mbi 13 milionë euro shtesë si kosto transaksioni. Kjo për shkak se Shqipëria ende nuk është pjesë e Zonës së Vetme të Pagesave në Euro.
“Remitancat arrijnë mesatarisht në rreth 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sipas Bankës Botërore, kostoja e dërgimit të remitancave në Shqipëri është afërsisht 8.7%, duke tejkaluar ndjeshëm kufirin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm prej 3%. Nëse ky objektiv do të përmbushej, emigrantët shqiptarë dhe familjet e tyre do të kursenin në një masë të konsiderueshme”, tha Ervin Mete, ministër i Financave.
Sipas vlerësimeve të Bankës së Shqipërisë pjesëmarrja e vendit në SEPA do t’i kursente shqiptarëve deri në 14 milionë euro në vit. Po rruga drejt Zonë së Vetme e Pagesave në Euro nuk është aq e lehtë. Duhen hartuar dhe zbatuar një sërë reformash.
“Bazuar në përvojat e tjera, koordinimi dhe bashkërendimi i përpjekjeve janë vendimtare për arritjen e një procesi aplikimi të shpejtë dhe efikas brenda afateve kohore të përcaktuara. Nisur nga rëndësia që ka për Shqipërinë aderimi në SEPA, jemi plotësisht të angazhuar për ta finalizuar procesin e aplikimit brenda muajit qershor 2024”, u shpreh Gent Sejko, guvernatori i Bankës së Shqipërisë.
Ballkani Perëndimor drejt Sistemit Europian të Pagesave ishte fokusi i Ministerialit që mblodhi sot në Tiranë, Ministrat e Financave dhe Guvernatorët e Bankave Qendrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pjesë e takimit ishin edhe përfaqësuesit e dy institucioneve më të larta financiare monetare në Kosovë.
“Do të na ndihmonte të kishin më shumë lidhje me njëri-tjetrin dhe të luftonim ekonominë informale. Ne si qeveri, si ministri jemi duke punuar për të qenë pjesë e SEPA”, bëri me dije Bekim Murati, Ministri i Financave, Punëve dhe Transfereve në Kosovë.
Aktualisht Zona e vetme e pagesave në euro, mundëson kryerjen e transfertave në Euro në 36 vende anëtare dhe jo-anëtare të Bashkimit Evropian. (A2 Televizion)