Buxheti për institucionet, Begaj dyfishon fondin, shtesë edhe për Kuvendin e Kryeministrinë

Nga Ervin Koçi
7 Nëntor 2023, 12:04 | Ekonomi

Institucionet e pavarura do t’i drejtohen një nga një deputetëve për të parashtruar kërkesat e tyre financiare për vitin e ardhshëm. Ndonëse buxheti parashikon një rritje galoponte të shpenzimeve, vetëm disa institucione duket se kanë përfituar rritje në buxhetim. Krahas vetë Kryeministrisë dhe Kuvendit, Presidenti i Republikës do të marrë më shumë se dyfishin e parave të 2023.

“Buxhetimi që qeveria i ka bërë institucioneve të pavarura ndër vite nuk ka qenë asnjëherë i kënaqshëm për ta. Sa herë që në Kuvend shkon për shqyrtim projektligji për buxhetin, përfaqësuesit e institucioneve kryesore kërkojnë nga deputetët më shumë para duke e argumentuar kryesisht me nevojën për investime”, raporton gazetari Ervin Koçi.

Situata për vitin 2024 paraqitet ndryshe për disa nga institucionet kryesore. Vetë Kuvendi i Shqipërisë ka një rritje me 38% të fondeve krahasuar me vitin 2023, ku një nga shkaqet kryesore është rritja e pagave që miratoi parlamenti, si për administratën edhe për 140 deputetët e Kuvendit. Por shifrat tregojnë se një tjetër institucion ka marrë dy herë më shumë para.

“Vitin e ardhshëm Institucioni i Presidentit të Republikës do të përfitojë 635.500 milionë lekë, nga 279 që kishte në dispozicion gjatë këtij viti. Sipas tabelave që shoqërojnë buxhetin, gati gjysma e parave do të shkojë për restaurimin e godinës”, raporton gazetari i A2CNN.

Qeveria që ka hartuar projektbuxhetin e dërguar për miratim në Kuvend, ka parashikuar disa para më shumë edhe për vetë kryeministrinë. Vlera prej gati 790 milionë lekësh shënon një rritje prej 37% krahasuar me këtë vit. Edhe në këtë rast, një pjesë e parave do të shkojnë për restaurimin e godinës së Këshillit të Ministrave.

 

A2 CNN Livestream

Ditari nga Bruna Çifligu