“Do i trajtojmë si hajdutët e energjisë”, Tatimet “ultimatum” bizneseve: Deklaroni pagat reale brenda datës 20

Nga Marjo Brakaj
3 Tetor 2024, 15:25 | Ekonomi

Administrata tatimore ju bën thirrje bizneseve të deklarojnë pagat reale të punonjësve brenda datës 20 të këtij muaji. Në kuadër te planit të masave që paralajmëroi në fillim te shtatorit, kryeministri Edi Rama, Tatimet nuk kërkojnë nga bizneset vetëm deklarimin e pagave reale, por edhe një sërë elementësh të tjerë.

“E thënë me fjalë të tjera, do bëjmë me kuotat e sigurimeve atë që bëmë me faturat e energjisë. Ata që s’u paguajnë sigurimet sipas pagës do i trajtojmë si hajdutët e energjisë elektrike", deklaroi Rama në Asamblenë e PS-së më 8 shtator.

Gati një muaj pas këtij paralajmërimi të kryeministrit Rama, “tatimet” i kanë dërguar një shkresë tatimeve që të deklarojnë pagat reale të punonjësve brenda datës 20 të këtij muaji. Te bizneset që janë vërejtur shumë paga minimale, Administrata Tatimore ka kërkuar korrigjimin e deklaratave dhe për të paguar sigurimet e plota të punonjësve.

“Do i trajtojmë si hajdutët e energjisë”, Tatimet

“Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë ka konstatuar se ju nuk keni përmbushur detyrimin ligjor për deklarimin e detyrimeve tatimore për sigurimet shoqërore për punonjësin, te cilën e keni deklaruar me pagë bruto mbi të cilën llogariten kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore me vlerë zero, në kundërshtim më parashikimet ligjore”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë.

Një në katër shqiptarë merr më pak se 40 mijë lekë në muaj. Me fenomenin “një pjesë në bankë e të tjerat në zarf” ende prezent, janë mbi 185 të punësuar me pagë nga rreth 734 mijë në total që paguan me pagë minimale.

“Dhe ne jemi të vetë-dijshëm se kjo nuk është e vërtetë. Deklarohen paga minimale, por realisht pagat janë më të larta”, u shpreh eksperti Erald Pashaj për A2.

“Do i trajtojmë si hajdutët e energjisë”, Tatimet

Me skemën e pensioneve në “buzë të greminës” nga njëra anë dhe “tatimet” që nuk po mbledhin më tepër para nga tjetra, qeveria planifikon të “fusë në lupë” çdo rrogë, madje dhe orët shtesë. Për të luftuar informalitetin qeveria paralajmëron se brenda tetorit do të shpaloset një reformë e re e bazuar në teknologji dhe inteligjencë artificiale.

 “Nuk është kaq e thjesht dhe nuk mund të realizohet vetëm me një fjalë goje. Fenomeni i pagave “gri” do të jetë prezent edhe për shumë kohë”, tha eksperti për A2.

Pagat minimale është grupi i parë që po kalon në filtrin e Administratës Tatimore, Inspektoriati të Punës dhe Institutit të Sigurimeve, për të goditur fenomenin e nën-deklarimit të pagave. Disa nga format e tjera të informalitet te pagat që do të luftohen nga qeveria janë edhe mos-regjistrimi i punonjësve, i profesionit apo edhe i orëve shtesë të punës.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos