Humbja e kapitalit njerëzor. "Bizneset nuk vuajnë për individë, por për punonjës të kualifikuar"

Nga A2 CNN
26 Mars 2024, 18:26 | Ekonomi

Bizneset në vend nuk vuajnë për njerëz, por për individë të kualifikuar. Kështu e justifikoi situatën në tregun e punës kryeministri Edi Rama, teksa gishtin tregues të fajit e drejtoi te e shkuara.

“Sot statistikisht në Shqipëri, 70 % e kërkesave për punë janë për profesionistë apo zanatçinj, teknik të mesëm dhe të lartë. Ndërkohë që vetëm 30 % e kërkesave që ka tregu janë për arsimin e lartë universitar, jurist e këto sepse për shumë vite, falë çfarë u bë në vitet e mëparshme, do të jemi vendi me numrin më të madh të juristëve për kilometër katror në botë”, tha kryeministri.

Humbja e kapitalit njerëzor është rrezik kritik për Shqipërinë, veçanërisht në drejtim të ekonomisë vlerësoi zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Olta Manjani.

“Zhvillimi i ekonomisë së Shqipërisë sot sfidohet nga nevoja për t’u larguar nga rritja me fokus në profesionet që kërkojnë pak aftësi dhe e kanë të ulët vlerën e shtuar në ekonomi drejt atyre sektorëve që kërkojnë fuqi punëtore më të kualifikuar dhe që kanë një produktivitet me të lartë në ekonomi. Kjo gjë kërkon investime të qëndrueshme dhe sistem arsimor e formues të një cilësie të lartë që nxisin kreativitetin dhe mbështesin inovacionin”, tha zv.ministrja Manjani.

Më optimist mbi situatën u tregua ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja teksa tregoi me regjistrimet dhe profilet më të pëlqyera nga ata që zgjedhin arsimin profesional.

“Arsimi dhe formimi profesional ofrohet nga  29 shkolla  profesionale dhe 10 qendra në gjithë vendin.  14700 nxënës ndjekin arsimin e mesme profesional publik për vitin 2023-2024, ndërkohë të dhënat e INSTAT do publikohen në fund të prillit 2024. Janë regjistruar për herë të parë në arsimin profesional 4709 nxënës, 11% më shumë se një vit më parë. Programet më të frekuentuara janë hoteleri-turizëm shërbime mjete transporti dhe TIK”, deklaroi Gonxhja.

Edhe pse qeveria e ka shpallur prioritet arsimin profesional, ende sot mungojnë hallkat që lidhin nevojat e tregut me drejtimet arsimore profesionale. Të dhënat tregojnë se vetëm 49 për qind e atyre që mbarojnë një shkollë profesionale arrijnë të punësohen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos