Kredi për pushime? Një mundësi që shqiptarët po e vlerësojnë për 2024

Nga Marinela Lina
25 Maj 2024, 14:11 | Ekonomi

Do të kursejnë, të marrin kredi apo do të qëndrojnë në shtëpi? Si pritet të veprojnë shqiptarët për pushimet këtë vit?

“Ka familje që duan t’i kënaqin fëmijët por të marrësh kredi për pushime është e vështirë. Ndoshta mund të shkosh në pushime më të lira.”

“Këtë verë e kemi pushim pasi nuk kemi mundësi ekonomike sapo kemi blerë një apartament dhe do mendojmë për vitin tënd.”

“Me këtë ekonomi që është nga pragu dhe brenda shtëpisë nuk kemi mundësi”, tregojnë qytetarët.

Sigurojnë paratë, por punojnë shumë muaj për t’i shlyer ato. Marrja e kredisë për pushime apo udhëtime po konsiderohet si një zgjidhje e shpejtë për shumë qytetarë të cilët duan të kryejnë pushimet por nuk kanë mundësinë.

 “E vlerësoj si mundësi ka çifte të reja që e kanë nevojë këtë suport nga bankat. Për veten e shoh opsionale.”

“Unë nuk më duket e arsyeshme me këto interesa që janë, nëse do të ishin të mira pse jo”

“Kredinë do e merrja për të shkolluar fëmijët më shumë”, tregojnë qytetarët.

Një studim i shoqatës së mikrofinancës shqiptare, kompanitë e të cilës ndihmojnë nëpërmjet huadhënies qytetarët me kredi, bën të ditur se për 70% të të intervistuarve dëshira për udhëtime qëndron përmbi kursimin për shkollë, ilace, makinë apo veshje.

Nga ana tjetër të huajt nuk e shohin si një mundësi të nevojshme marrjen e një kredie teksa udhëtojnë drejt Shqipërisë për pushime.

“Ne përdorim kursimet tona, por mesa shohim Shqipëria është një vend shumë i lirë dhe nuk harxhojmë shumë.”

“Unë jam nga Arabia Saudite. Unë përdor kursimet e mia për të udhëtuar, por shoh që Shqipëria nga viti në vit po bëhet më e shtrenjtë, por ende është e përballueshme.”

“Ne na pëlqejnë të udhëtojmë. Si të rinj që jemi do e mendonim edhe të merrnim kredi për pushime në vendin tonë”, tregojnë qytetarët.

Pavarësisht krizës së çmimeve, ekzistente në atë periudhë, por dhe inflacionit të lartë, shqiptarët në 2023 sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë shpenzuan 235 miliardë lekë për udhëtime, ku kulmi u regjistrua në muajt korrik-shtator dhe më pak në fillim vit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos