Projektet e BB për Shqipërinë, nga furnizimi me ujë të pijshëm te mbrojtja e mjedisit e zhvillimi urban

Nga Marjo Brakaj
22 Maj 2024, 10:51 | Ekonomi

Banka Botërore po ndihmon Shqipërinë në disa drejtime. Në një intervistë për A2CNN, drejtori për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Rajonit të Europës dhe Azisë Qendrore në Bankën Botërore, Sameh Naguib Wahba, tregon më shumë mbi projektet në zbatim e sipër.

“I pari është projekti për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmit. Projekti i dytë është projekt mjedisor dhe quhet “Kujdesi për Detin Blu” dhe ka të bëjë me pakësimin e ndotjes që ndikon detet. Projekti i tretë është program mbështetjeje në fushën e ujësjellës-kanalizimeve dhe ai i fundit ka të bëjë me bujqësinë që duhet të ketë aftësi ripërtëritëse ndaj klimës dhe që synon të përmirësojë konkurrueshmërinë e sektorit”, thotë Sameh Naguib Wahba, drejtori rajonal për Zhvillimin e Qendrueshëm në ECA, në Bankën Botërore.

Me një vizion të ri, pas më shumë se tri dekadash problematika të trashëguara e të krijuara rishtas, në rrugë të mbarë, pritet të vihet edhe sektori i furnizimit me ujë të pijshëm në vend.

“Në vend që të ofrojë vetëm infrastrukturë, pra rregullimin e tubacioneve, ky projekt po i ofron mbështetje të gjithë kuadrit institucional, rregullator dhe ligjor. Me pak fjalë pra, të punojmë me institucionet që rregullojnë tubat përveç investimit. Projekti ka tri fusha rezultatesh, sepse është i strukturuar sipas një modeli që quhet Program për Rezultate”, vijon Sameh Naguib Wahba.

Shqipëria është një nga vendet më të rrezikuara nga fatkeqësitë natyrore në Europë, ndaj një mbështetje e konsiderueshme nga Banka Botërore do të jepet pikërisht në këtë drejtim

“Banka Botërore është pra gati të mbështesë Shqipërinë për të ngritur sistemet, por edhe me investimet e nevojshme për sigurimin e një sistemi të klasit të parë për menaxhimin e riskut nga fatkeqësitë, që në kontekstin e ndryshimeve klimatike është i nevojshëm për mbrojtjen e vendit dhe ekonomisë në kuadrin e risqeve të mundshme, duke krijuar kushte për një Shqipëri të sigurt për të gjithë qytetarët e saj”, shton Sameh Naguib Wahba.

Me qëllim zvogëlimin e efekteve nga ndryshimet klimatike, Banka Botërore këshillon se Shqipëria të diversifikojë burimet e saj energjetike, duke investuar në energjinë e erës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos