Makina me qira për pushime dhe dasma, turizmi i jep hov biznesit me automjete, rriten importet nga Koreja e Jugut

Nga A2 CNN
20 Maj 2024, 18:24 | Ekonomi

Optimizmi gati në eufori për një vit edhe më të mirë, justifikuar nga pritshmëritë për mikpritur 14 milionë të huaj po nxit bizneset në tregu i qiradhënies së makinave të importojnë më shumë automjete. Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit rrugor tregojnë se vetëm në 4 muajt e parë të vitit u zhdoganuan gati 31 mijë makina.

“Kërkesat për këtë vit krahasuar me vitin e kaluar janë 3 herë më të larta. Janë statistika që i gjenerojë nga sistemet tona. Sigurisht që çmimet ndryshojnë në varësi të prenotimit dhe kohës,  ku ata që kanë aplikuar më herët kanë përfituar nga çmimet më të lira. Çmimi mesatar është 40-45 euro që përfshin TVSH, asistencën teknike”, shprehet Andi Allushi.

Në varësi edhe të asaj çka turistët e huaj dhe emigrantët shqiptarë që kthehen për pushime dhe dasma në atdhe kërkojnë, pjesa më e madhe e automjeteve të importuara në harkun e muajve janar-prill janë të markës “Volkswagen”, ndjekur nga Mercedes Benz, Audi, Hyundai, Ford, Fiat e BMW.

“Shqiptarët marrin makina me qira por preferojnë çmimin më të lirë dhe jo shërbimin më të mirë. Të huajt preferojnë makina me çmim mesatar, por me fuqi motorike të ulët për mos harxhuar shumë”, shton Allushi.

Me sezonin masiv turistik në prag, kompanitë e qiradhënies së makinave po përballen me një problem... atë të prenotimit të çdo automjeti të mundshëm.

“Për korrikun dhe gushtin nuk kemi asnjë mjet të lirë. Në gjuhën tonë kemi bërë “stop sale”. Duhet të shtojmë flotën”, tha Allushi.

Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit tregojnë se pjesa më e madhe e gati 30 mijë automjeteve u importuan nga Italia, ndjekur nga Gjermania, Koreja e Jugut, Zvicra, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi