Eksportet "ngritën kokë" në prill, u çuan më shumë minerale në Kinë e naftë në Spanjë

Nga Marjo Brakaj
20 Maj 2024, 14:57 | Ekonomi

Zgjerimi i kërkesës për minerale nga Kina, naftë nga Spanja e zarzavate nga Maqedonia e Veriut bënë që eksportet shqiptare në prill të “ngrinin kokë” për herë të parë pas 13 muajsh tatëpjetë.

Të dhënat nga Institut i Statistikave tregojnë se muajin e shkuar kompanitë shqiptare të çonin në tregjet e huaja mallra me vlerë gati 35 miliardë lekë, 1.8 për qind më tepër se një vit më parë.

 Nga ana tjetër, gati 800 mijë turistët që vizituan vendin në prill bënë që edhe importet të zgjeroheshin lehtë, me 0.6 për qind në raport me një vit më parë.

Po a mund të konsiderohet prilli si “pika e kthesës” së rigjallërimit të eksporteve shqiptare.

“Besoj se prilli nuk tregon fundin e “dramës së eksporteve”. Më shumë kjo k ardhur nga kërkesa e rritur për hidrokarbure dhe prodhimet e serës. Eksportuesit shqiptarë gjenden mes dy betejash, kursin e këmbimit dhe rritjes së kostove të fuqisë punëtore. Kjo bën që gjallërimi i eksporteve të mos ndodhë kaq shpejt,” shprehet Romina Radonshiqi, eksperte për ekonominë ekonomie.

Me gjithë prillin e mbarë, marrë në harkun e 4 muajve të dhënat nga INSTAT tregojnë se eksportet janë tkurrur me 17.1 për qind në raport me një vit më parë.

Në kahun tjetër, në harkun e muajve janar-prill importet janë zgjeruar lehtë... me 0.4 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë.

Me eksportet në rënie dhe importet të zgjeruara lehtë, bilanci i tregtisë së jashtme të vendit në 4 muajt e parë të vitit u mbyll me gati 155 miliardë lekë defiçit, pra importe më shumë se eksporte.

 “Unë besoj se kriza vijon dhe prilli nuk duhet konsideruar si periudhë relaksi. qeveria duhet të ndihmojë eksportuesit. Janë motori ekonomik i ekonomisë dhe falimenti i tyre është lajm i keq për të gjithë.”

Kina është shteti drejt së cilit kompanitë shqiptare çuan më shumë produkte në prill, 155 për qind më tepër se një vit më parë, ndjekur nga Spanja dhe Maqedonia e Veriut. Të dhënat e INSTAT tregojnë se muajin e shkuar u tkurrën eksportet drejt Italisë, Greqisë dhe Gjermanisë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos