Nga kriza e çmimeve dhe fitimet e individëve, arka e shtetit vijoi të mbushej edhe në prill, u mblodhën mbi 231 mld lekë

Nga Marjo Brakaj
17 Maj 2024, 15:01 | Ekonomi

Kryesisht nga çmimet dhe fitimet e individëve e bizneseve, deri në prill në buxhetin e shtetit hynë 231.6 miliardë lekë. Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se në krahasim me katër muajt e parë të vitit të shkuar, arkëtimet janë rritur me 24.1 miliardë lekë, ose 11.6 për qind.

Me gjithë inflacionin e zbutur, nga tatimi mbi vlerën e shtuar mbi çmimet e ushqimeve dhe produkteve u mblodhën plotë 47.4 miliardë lekë, 2.7 për qind më tepër se një vit më parë. Rritja e pagave të individëve gjithashtu kontribuoi me 21 miliardë lekë, ndjekur nga taksat dhe akciza. E kundërta ka ndodhur me tatim-fitimin e bizneseve që sollën 5.2 për qind më pak para në arkën e shtetit se në janar-prill 2023.  

“Ky është një lajm i mirë për buxhetin e shtetit, por jo për qytetarët dhe bizneset. Këta të fundit po paguajnë më shumë. Na mungon një analizë që të tregojë se sa janë ngushtuar evazioni dhe informaliteti nëpërmjet tyre ne do mund të matnim edhe performancën e përgjithshme të politikave”, u shpreh Eduart Gjokutaj, ekspert për ekonominë.

Nga ana tjetër qeveria duket se po tregohet më dorështrënguar te shpenzimet. Në katër muajt e parë të vitit për investime shkuan më pak se 199 miliardë lekë. Në raport me periudhën janar-prill 2023 shpenzimet janë zgjeruar me 7.4 për qind, por ato u realizuan vetëm në masën 96.8 për qind të planit.

“Duhet analizuar me kujdes. Pse nuk janë realizuar investimet. Ky është problem. Nuk është kurim por mungesë eficence nga institucionet”, tha Gjokutaj.

Të ardhurat ndjeshëm më të larat se shpenzimet bënë që ekonomia e vendit të mbyllej pozitivisht në katër muajt e parë të vitit me, me mbi 33 miliardë lekë të kursyera.

Deri në fund të vitit, Ministria e Financave përllogaritet që në buxhetin e shtetit të hynë 686,7 miliardë dhe të shpenzohen 744 miliardë lekë. Defiçiti, diferenca mes shpenzimeve më të larat se të ardhurat prej 67.3 miliard lekësh do të mbulohet nga borxhet që do të merren brenda vendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos