Ish-reparte ushtarake dhe magazina, pronat shtetërore do të shkëmbehen ose shemben për interesa të privatit

Nga Marjo Brakaj
16 Maj 2024, 19:58 | Ekonomi

Nga ish-repartet ushtarake te magazinat, duke përfshirë uzinat dhe portet... pronat publike në pronësi të shtetit do të shkëmbehen ose shemben për interesa private. Me shumicë votash socialistët miratuan projektligjin, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçantë”.

“Objektet në tokat shtetërore, për të cilat është parashikuar një plan zhvillimi, deri sot, janë shembur pa një legjislacion që e rregullon në mënyrë specifike këtë çështje, por bazuar kryesisht në legjislacionin për rregullimin e territorit. Për të mbrojtur më mirë interesat e shtetit, u propozua që të parashikohet në ligj dhe në aktet nënligjore që shpenzimet e shembjes së këtyre objekteve dhe vlera kontabël e tyre, të përballohen nga investitori.”

Janë të paktën 2 mijë e 35 prona shtetërore, 1 mijë e 150 prej të cilave të paregjistruara që do i jepen privatit. Ky i fundit mund të zgjedhë rikonstruksionin apo shembjen e tyre në varësi të panëve për zhvillim. Problem sipas edhe propozimit ligjor të hartuar nga deputeti socialist Eduart Shalsi, por edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit mbeten pronat shtetërore të pa-regjistrua.

“Së pari, lënia në “informalitet” e pronave shtetërore me pasojë mos-saktësimin e statusit të tyre, juridik ka sjellë rritjen e ndërtesave informale apo edhe zaptimin e tyre, për godina të amortizuara apo të rrënuara, mbi të cilat janë ndërtuar objekte informale. Së dyti, në frenimin e procesit të legalizimit në mungesë të konfirmimit nga ana e organeve shtetërore.”

Të dhënat nga Agjencia Kombëtare e Privatizimit tregojnë se nga viti 1991 e deri më tani i janë dhënë biznesmenëve të ndryshëm 21 mijë e 708 prona shtetëror me vlerë gati 27.5 miliardë lekë.

Ndërkohë aktualisht janë edhe 536 prona publike në pronësi të shtetit në proces privatizimi. Pjesa më e madhe e tyre ndodhen në tiranë, ndjekur nga Berati, Shkodra e Fieri.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi