Qeveria do të ndërhyjë në diga, Balluku: Rehabilitimi, sipas praktikave më të mira

Nga Marinela Lina
16 Maj 2024, 17:55 | Ekonomi

Me qëllim identifikimin e problemeve, por dhe rehabilitimin e nevojshëm, qeveria do të ndërhyjë në përmirësimin e të gjitha digave në vend. Nga simpoziumi ndërkombëtar “Sfida dhe inovacione për diga të sigurta”, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku tha se është  e nevojshme ndërhyrja sidomos pranë digave që i shërbejnë sektorit bujqësor. Edhe më e domosdoshme bëhet kjo në kushtet klimatike që po kalon vendi dhe globi.

”Nëse ka diçka që ne sot duhet të ndërhyjmë dhe këtu po i referohem sektorit të digave të cilat përdoren nga bujqësia, duhet të ndërhyjmë në kanalizime. Rrjetin e kanalizimeve të lidhur me rezervuarët i cili padyshim për shkak edhe të ndërtimeve informale, për shkak të një tranzicioni 30 vjeçar ka pësuar dëme të konsiderueshme që do të ishte e udhës dhe është në planet e qeverisë të rehabilitojmë këtë rrjet, duke qenë se bujqësia vazhdon të jetë një nga sektorët më fitimprurës në ekonominë e vendit, me ndikim të jashtëzakonshëm në shifrat e eksporteve shqiptare.”

Por teksa pritet të jetë një proces që do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë, balluku u ndal tek mungesa e punonjësve të rinj dhe bëri thirrje që t’i bashkohen edhe këtij sektori.

“Tek unë takoj anëtarët e KKDM, tek flas me ekspertët që kam në ministri, dua, pa dashur që të prek askënd sepse edhe vetë e kam një moshë të thyer, që ekspertët tanë nuk po prodhojnë breza të rinj. Stafeta është për mua si profesioniste dhe besoj se për secilin nga ju këtu, është një detyrë shumë e rëndësishme. Lënia e stafetës tek ekspertët e rinj. Në rast se vazhdojmë dhe e mbajmë dijen brenda të njëjtit grupim. Në rast se vazhdojmë dhe nuk i hapim dyert për të rinjtë dhe të rejat me idenë që ata nuk dinë sa ne, do të ishte gabimi më i madh që do të ndodhte në çdo sektor, por sidomos në sektorin e digave ku identifikoj me shumë shqetësim që nuk kemi prurje të reja.”

Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës do të aplikojë praktikat më të mira europiane dhe ndërkombëtare për diga funksionale në vend. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos