Sa do të paguani për rivlerësimin? Propozim i PS: Tatim 3% vlen edhe për pronat në proces legalizimi

Nga Marinela Lina
15 Maj 2024, 16:49 | Ekonomi

Kanë kaluar 2 vite nga rivlerësimi i fundit i pasurive të paluajtshme në vend. Por një propozim i ri është depozituar nga mazhoranca në Kuvend cili parashikon rivlerësimin në një normë tatimi 3% nga 15%  që është aktualisht nëse shet pronën.

Ky tatim i ri i cili pas hyrjes ne fuqi do të ketë një afat deri në vitin 2025, ishte i pritshëm sipas ekspertëve të tregut por përsëri ende ka nevojë për rregullime.

“Nga viti 2023-2023 ka një rënie me 22.8% sa I përket arkëtimit nga transaksionet e pasurive të paluajtshme. Ndërkohë që shohim që volumet e tregut janë rritur me 15%. Kjo tregon që një barrë e rëndë fiskale sjell informalitet. Kishte ardhur momenti që të rimendohej kjo barrë fiskale,” shprehet Reinaldo Pipiria nga Shoqata e Pasurive të Paluajtshme, Narea.

Por me këtë normë të re tatimi për rivlerësimin sa duhet të paguajë një person për pronën e vet?

Jemi të pozicionuar në zonën e liqenit artificial. Për një apartament familjar 2+1 me sipërfaqe 110 metra katror me vlerë fillestare të blerjes 230 mijë euro, ky apartament me çmimet aktuale të referencës mund të arrijë vlerën e 250 mijë eurove.

Me tatimin aktual  për rivlerësimin do të paguante 15% të diferencës, thënë ndryshe 15% të 20 mijë euroshit= 3 mijë euro. Por për një tatim 3% ky person do të paguante vetëm 600 euro.

“Të kuptojmë që kjo barrë 15% s’është e drejtë se jemi duke tatuar rregullisht strehimin. Kryesisht ata që hedhin prona në treg janë ata kanë shtëpinë  eparë e rishesin dhe në të njëjtën kohë përmirësojnë kushtet e jetesës,” shpjegon Pipiria.

Subjekt i këtij ligji është edhe rivlerësimi i pasurive të paluajtshme: të individëve, të cilët janë në proces legalizimi dhe regjistrimi të pasurisë të cilët zotërojnë një kontratë sipërmarrje ose porosie. Procedurat e rivlerësimit për këto raste përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

“Ky rivlerësim e ndihmon këtë kategori dhe këta që janë me objekte të braktisura me një barrë tatimore të drejtë 3%.”

Procesi i fundit i rivlerësimit të pasurive nisi në vitin 2020 dhe mbaroi në gusht të 2022, dhe nga i cili përfituan 110 mijë familje në të gjithë vendin. Edhe rivlerësimi i fundit kishte normë tatimi 3%.

Nëse ky projektligj i ndërmarrë nga deputetët e mazhorancës do të miratohet, do të jetë i pesti proces në dekadën e fundit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos