Lindjet nuk po dominojnë mbi vdekjet në Shqipëri edhe në tre muajt e parë të këtij viti, sipas Institutit të Statistikave. 5056 bebe lindën në maternitetet e vendit, ndërkohë që 5537 qytetarë në vend ndërruan jetë. Krahasuar me një vit më parë, lindjet shënuan një rënie me 6,8%, ndërsa vdekjet u ulën me 5,2%.
Ata që sot janë prindër vështirë të mendojnë për një fëmijë tjetër, pa një gjendje të sigurt ekonomike. Ndërsa të rinjtë pohojnë se nuk duan të krijojnë familje apo të bëhen prindër në moshë të re.
Aleksandri, mësues në një prej shkollave në Tiranë, tregon se edhe pse bën dhe punë të tjera shtesë, nuk i krijon dot mundësitë për të përballuar ardhjen në jetë të një fëmije: “Vështirë është sepse po bëjmë nga 2-3 punë dhe me këto rroga, që mesa duket nuk do të lëvizin, është shumë e vështirë jeta”.
Në të gjitha qarqet e vendit këtë fillimvit lindjet ishin më të paktë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Qarku me numrin më të lartë të lindjeve është Tirana me 1 929 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra me 74 lindje.
Një lajm pozitiv mbetet tek fakti se ka një rënie në numrin e vdekjeve në shumicën e qarqeve në vend. Qarku me numrin më të lartë të vdekjeve, me 1 454 persona që ndërruan jetë në tre muaj, është Tirana. Në këtë qark është përqendruar edhe shumica e popullsisë. Ndërsa Kukësi është qarku me numrin më të ulët të numrit të vdekjeve.
Prej muajsh vijonte një ecuri pozitive e shtesës natyrore të popullsisë, por këtë fillimvit ata që ndërruan jetë ishin më të shumtë se bebet që lindën. (A2 Televizion)