Punimet në Thumanë-Kashar, veprën infrastrukturore më të rëndësishme të Korridorit Blu janë duke përfunduar.
“Një kantier i cili gëlon dhe për më tepër një kantier i cili ka një afat që kryeministri na ka vendosur, një afat shumë sfidues, duhet ta dorëzojmë në 30 qershor të këtij viti. Duket që ka një ecuri shumë të mirë. Këtu punohet me tre turne, disa procese fillojnë në 7 dhe përfundojnë në 12 të natës siç është pjesa e konglomeratit apo e tapetit, ndërkohë që mbushja dhe procese të tjera vazhdojnë gjatë gjithë kohës pa ndërprerje”, deklaroi Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli bëri edhe një panoramë të ecurisë së punimeve në aksin rrugor 21 kilometër të gjatë.
“Mbi 15 kilometra pothuajse janë të përfunduara me të gjitha punimet, shtresat asfaltike, barrierat mbrojtëse. Jemi fokusuar tashmë në 5 kilometrat e fundit përfshirë dhe nyjën e dytë të Kasharit. Punimet janë nën kontroll, koncesionari do të arrijë të përfundojnë brenda qershorit të gjitha punimet dhe rruga të jetë e shfrytëzueshme për përdoruesit në kushte të plota sigurie”, u shpreh Gentian Gjyli, Drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Nga kantieri i punimeve, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tregoi edhe planet për ndërtimin e gjithë infrastrukturës rrugore të Korridorit Blu.
“Korridori Blu ka disa segmente. Ky është segmenti i parë që ne dorëzojmë, Thumanë-Kashar, ndërkohë që jemi në fazë negocimi përsa i përket dy segmenteve të tjera Kashar-Lekaj dhe më pas Lekaj-Fier. Përgatitemi shumë shpejt për të hapur garën për Milot-Balldren. Unë e di që është një kërkesë e të gjithë drejtuesve të automjeteve të cilët vizitojnë shpesh kryeqytetin apo Durrësin dhe jetojnë në veri të vendit dhe sigurisht do të kenë një frymëmarrje të jashtëzakonshme”, theksoi Balluku.
Aksi rrugor Thumanë – Kashar përmban disa vepra arti, 11 ura 105 tombino, 6 mbikalime dhe 6 nënkalime, si dhe ndërtimin e dy nyjeve të mëdha me dalje në aeroportin e Rinasit dhe nyjën e Kasharit ku bëhet edhe lidhja me aksion rrugor Tiranë-Durrës. (A2 Televizion)