Pothuajse të gjithë u prekëm nga virozat këtë fillimvit, por të paktë ishin ata qytetarë që mundën të merrnin kurën e duhur nëpër farmaci. Pamundësia për të blerë ilaçet bëri që Shqipëria të importojë më pak nga jashtë vendit.
Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se në harkun janar-mars 2024 u blenë 1362,2 ton ilaçe, ose në vlerë 6,37 miliardë lekë.
Farmacistja Adela Nushi shprehet: “Vijnë në farmaci me një recetë. Ato që marrin më shumë janw azitromicina, aguementina, cefuroxima, gjithashtu dhe shurup në rastin e kollës, anti inflamator si ibubrofeni apo takipirina, të cilët i përdorin më shumë pasi dhe nuk kanë mundësi të blejnë antibiotikët”.
Për shkak edhe të kulmit të virozave, në muajt janar dhe shkurt ne rritëm kërkesën për ilaçe nga jashtë vendit krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por, përmirësimi i motit në mars bëri që Shqipëria të importojë më pak.
“Periudha e janarit dhe shkurtit është periudha e pikut ku njerëzit kalojnë shumë viroza. Paraqiten me receta që përmbajnë antibiotik antiinflamator. Fluksi i të sëmurëve është i lartë. Por, edhe në mars e prill kemi pacientë me simptoma të ndryshme, por jo në pikun e muajve të parë”, thotë Nushi.
Por, pavarësisht virozave dhe pamundësisë së qytetarëve për të blerë, Shqipëria ende vuan mungesën e një sërë ilaçesh të nevojshme për shëndetin e qytetarëve: “Ka mungesë pafund, le të themi se barnat patentë janë gjithmonë e më shumë në zhdukje”.
Shqipëria importon nga tregjet europiane dhe ndërkombëtare rreth 30 produkte të ndryshme farmaceutike. (A2 Televizion)