Thellohet kriza demografike, ulen me 17% lindjet në 3 muajt e parë, shtesa natyrore vijon negative

Nga A2 CNN
25 Maj 2023, 15:10 | Sociale
Thellohet kriza demografike, ulen me 17% lindjet në 3 muajt e parë,

Këtë fillim-vit lindën më pak bebe se asnjëherë më parë në së paku 30 vitet e fundit dhe pjesës më të madhe të regjimit komunist.

Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në harkun e muajve janar-mars erdhën në jetë 5 mijë e 164 foshnje nga mbi 6 mijë e 200 në po të njëjtin hark kohor të një viti më parë duke regjistruar kështu një tkurrje me gati 17 për qind.

“Sot kemi rënie të numrit të lindjeve pasi politikat incentivuese të qeverisë nuk mund të garantojnë mirërritjen e fëmijëve.”

Eris Dhamo, sociologe

“Kjo është një kambanë alarmi në fakt. Duhet thënë. Unë besoj se është shumë e lidhur me moshat e reja që largohen. Po largohen mosha riprodhuese, prindër të ardhshëm që lindin në vende të tjera.”

Ernald Zeqja, mjek gjinekolog

Të dhënat e INSTAT tregojnë se në 3-mujorin e parë të vitit humbën jetën 5 mijë e 557 vetë, në rënie me mbi 31 për qind krahasuar me një vit më parë, kur pandemia konsiderohej ende pjesërisht aktive.

Por, ndonëse numri i vdekjeve u ul, shtesa natyrore e popullsisë u mbyll negativisht. Në tre muaj vendi regjistroi së paku 393 individë, pa përfshirë këtu ata që emigrojnë.

“Rënia e popullsisë është e pritshme. Edhe studiuesit e kanë evidentuar këtë si problematikën më të madhe me të cilën vendi do të përballet, ndikuar edhe nga normat emigrative.”

Eris Dhamo, sociologe...

“Unë kam edhe pacientë që ndjek e shoh që ose kanë mendime për të ikur, ose do ikin më vonë. Prandaj largimi i moshës riprodhuese mbetet shkak i kësaj uljeje.”

Ernald Zeqja, mjek gjinekolog...

Të dhënat nga INSTAT tregojnë se qarku me numrin më të lartë të lindjeve në harkun e muajve janar-mars është Tirana me 1 mijë e 939 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra me 77 lindje.

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024