Frikë dhe ndërgjegjësim, qytetarët e bizneset ulën borxhet ndaj OSHEE në mars, por jo ujësjellësit

Nga A2 CNN
15 Maj 2024, 15:07 | Ekonomi

Frikë dhe ndërgjegjësim, qytetarët e bizneset ulën

Një pjesë nga frika e të tjerë të ndërgjegjësuar, qytetarët shqiptarë po i paguajnë rregullisht faturat e energjisë elektrike. Kjo ka bërë që detyrimet e prapambetura të abonentëve familjarë ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike të binin në 45.3 miliardë lekë nga 45.4 në po të njëjtin muaj më parë.

“Duhet me qenë korrekt me ta se vijnë dhe i ndalin dritat. Më mirë shkoi paguaji, rri pa domate e speca”, thotë një qytetar.

“Këtë muaj pagova 80 mijë lekë. Kur marrim pensionin i heqim mënjanë ato për dritat se për t’u paguar janë. Na ndihmojnë pak edhe fëmijët”, shprehet një tjetër.

Megjithatë nuk mungojnë as qytetarët, kryesisht të moshuar që e kanë të vështirë të shlyejnë faturat. Rrjedhimisht veç energjisë që  harxhojnë duhet të paguajnë edhe kamatvonesat.

“Kisha dy muaj pa paguar se nuk kisha lekë. Ato kalojnë me kamata e sot i pagova se nuk kisha ça bëja”, tha qytetari.

Në linjë me qytetarët, edhe bizneset po i paguajnë rregullisht faturat e energjisë. Në fund të marsit, vlera e fatura të prapambetura ndaj OSHEE ra në më pak se 10.3 miliardë lekë nga mbi 11.6 miliardë në po të njëjtin muaj të një viti më parë.

Me gjithë reformat e ndërmarra e ndihmat e dhënat nga qeveria, institucionet jo-buxhetore ku përfshihen ujë-sjellësat po vijojnë të mos paguajnë për energjinë e konsumuar. Të dhënat nga Enti Rregullator i Energjisë tregojnë se detyrimet e tyre ndaj Operatorit të Shpërndarjes në mars u zgjeruan në mbi 19.3 miliardë lekë nga 18.3 miliardë një vit më parë.

Për shkak të mospagimit në kohë, numri i faturave me kamat-vonesa në mars arriti në gati 1.1 milionë me vlerë gati 214 milionë lekë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos