Prestigj, por edhe kosto. Shqipëria, 200 mijë euro për konferencën e Interpol, në qershor

Nga Marjo Brakaj
15 Maj 2024, 14:44 | Ekonomi

Interpol do të rikthehet në Shqipëri pas gati shtatë vitesh. Rreth 200 policë të Organizatës Ndërkombëtare më e rëndësishme e Policisë Kriminale do të qëndrojnë për tre ditë në Tiranë për konferencën e 51-të Rajonale Evropiane.

Por veç prestigjit, vendi do të ketë edhe kosto. Për pritjen e përfaqësuesve, anëtarëve të stafit, përkthyesve, vëzhguesve dhe shoqëruesve të Organizatës Ndërkombëtare e Policisë Kriminale planifikohen të shpenzohen 20 milionë lekë apo rreth 198 mijë euro.

Në marrëveshjen me Interpol të depozituar në Kuvend për ratifikim, diktohen edhe detyrat e tjera që Shqipëria do të ketë si vend mikëpritës.

“Vendi pritës dhe Sekretariati i Përgjithshëm i INTERPOL-it duhet të mbajnë konsultime dhe të përcaktojnë së bashku, çdo masë tjetër që mund të jetë e nevojshme për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e pjesëmarrësve e të publikut të gjerë, duke marrë në konsideratë të drejtat e pjesëmarrësve dhe nevojat për funksionimin e Konferencës Rajonale, pa probleme dhe me efikasitet”, thotë Ministria e Brendshme.

Në dokumentin që shoqëron projektligjin e hartuar nga Ministria e Brendshme, paralajmërohen edhe kosto shtesë, veç 20 milionë lekëve për Shqipërinë në rast incidentesh me të ftuarit. Këto para do të dalin nga buxheti i Policisë së Shtetit.

“Vendi pritës do të marrë masat e duhura për të siguruar mbulim sigurimi për çdo dëm të shkaktuar personave të përfshirë ose që marrin pjesë në punimet e Konferencës së 51-të Rajonale Evropiane, si dhe çdo dëmtim të shkaktuar pa dashje në ambientet ose automjetet nga pjesëmarrësit në Konferencën e 51-të Rajonale Europiane”, vijon Ministria e Brendshme.

Konferenca e 51-të Rajonale Europiane të Interpol që do të mbahet në Tiranë në datat 11-13 qershor, vjen në një kohë që në vend po zhvillohen hetime për rrjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS.

Me përmasa më të mëdha në kontekstin gjeopolitik, vitin e shkuar, Shqipëria mikëpriti Samitin e Procesit të Berlinit. Organizmi i kushtoi vendit 112 milionë lekë apo rreth 1.1 milionë euro. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos