Sistemi bonus-malus brenda vitit, Kaçi: Shoferët po i zgjidhin dëmet e aksidenteve me marrëveshje

Nga Marinela Lina
15 Maj 2024, 21:20 | Ekonomi

Për aksidentet e kryera, shoferët e automjeteve po i zgjidhin dëmet më së shumti nëpërmjet marrëveshjeve mes të dyja palëve.

Rreth 37% e rasteve në 2023 zgjodhën këtë metodë në rastet e dëmeve me vlerë deri në 30 000 lekë. Të dhënat u bënë të ditura nga kreu i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Mimoza Kaçi, gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave.

Një risi në fushën e sigurimit të automjeteve, sipas Kaçit, do të jetë zbatimi i skemës bonus-malus brenda këtij viti. Një sistem që i shpërblen drejtuesit e mjeteve pa historik dëmesh me prime sigurimi më të ulëta dhe penalizimin e drejtuesve që kanë shkaktuar dëme në të shkuarën me prime më të larta.

Në prezantimin e raportit vjetor të institucionit, drejtuesja e AMF theksoi se po punohet për përgatitjen e plotë të draftligjit për sigurimin nga fatkeqësitë.

Sipas Kaçit, në tregun e sigurimeve u shënua një përmirësim i mëtejshëm i treguesve financiarë kryesorë në 2023. Kryesisht fondet e pensionit privat vijuan tendencën rritëse të aktiveve neto të këtij tregu të cilat arritën në 6,7 miliardë lekë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos