Thatësira kërcënon rritjen ekonomike, BERZH: Ulen prodhimet bujqësore dhe energjia elektrike!

Nga Marjo Brakaj
16 Maj 2024, 12:12 | Ekonomi

Thatësira kërcënon rritjen ekonomike, BERZH: Ulen prodhimet

Thatësira kërcënon rritjen ekonomike të Shqipërisë. Në këtë përfundim ka dalë Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në raportin e fundit mbi perspektivën ekonomike të vendeve në zhvillim.

BERZH paralajmëron se mungesa e reshjeve do të ulë prodhimin bujqësor dhe energjinë elektrike duke ndikuar negativisht në Prodhimin e Brendshëm Bruto.

“Rritja ekonomike kërcënohet nga një thatësi e mundshme e cila do të ndikonte në prodhimin bujqësor dhe furnizimin me energji elektrike. Për shkak të kontributit relativisht të madh të bujqësisë dhe varësisë nga energjia nga uji, mund të ketë ndikime negative në Prodhimin e Brendshëm Bruto”, thotë BERZH.

Ndërkohë Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka mbajtur të pandryshuar parashikimet për rritjen ekonomike të Shqipërisë, 3.3 për qind këtë vit dhe 3.5 për qind në 2025-n. 

“Zgjerimi i turizmit në muajt e parë të vitit 2024 ka dhënë sinjale për një tjetër sezon rekord, duke ndikuar te rritja e konsumit. Inflacioni ndërkohë ka vijuar rënien, duke arritur në 2.3 për qind në mars dhe ai pritet të mbesë në objektiv gjatë gjithë vitit”, vijon BERZH.

Sipas parashikimeve të BERZH, Shqipëria do të ketë rritjen më të ulët ekonomike në Ballkanin Perëndimor, këtë vit, duke lënë pas vetëm Maqedoninë e Veriut. 

Kosova pritet të ketë zgjerimin më të madh të Prodhimit të brendshëm Bruto me 4 për qind, ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia.  

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli