Nga muaji ardhshëm do të nisë monitorimi i agjencive private të punësimit, që do të vlerësojë veprimtarinë dhe kushtet e tyre. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, nëpërmjet një publikimi në rrjete sociale, njofton se ndaj agjencive që kryejnë aktivitet në kundërshtim me ligjin, do të ndërmerren masa deri në heqjen e licencës.
Sipas tij monitorimet do të sjellin mbrojtjen e të drejtave të punëkërkuesve dhe punëofruesve.
“Gjatë muajit të ardhshëm, të gjitha agjencitë private të punësimit (APP) do t’i nënshtrohen një kontrolli të posaçëm inspektimi nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore. Ky monitorim do te vlerësojë veprimtarinë dhe kushtet e këtyre agjencive, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të punëkërkuesve dhe punëofruesve, verifikimin e zbatimit të detyrimeve ligjore ndaj aplikuesve dhe punëtoreve migrantë, punësimin e denjë dhe rekrutimin etik. Ky kontroll do të mundësojë një pasqyrë të qartë të performancës së këtyre agjencive dhe do të sigurojë që të vijojnë veprimtarinë vetëm ato agjenci që respektojnë standardet e vendosura në aktet ligjore dhe nënligjore për procesin e ndërmjetësimit për punësimin! Ndaj agjencive private të punësimit që kryejnë aktivitet në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, do të ndërmerren masa administrative përkatëse deri në revokim të licencës”, shkruan Gonxhja. (A2 Televizion)