Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për sigurimet shoqërore u miratua me 92 vota në Parlament. Gjatë diskutimit në Kuvend, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe njoftoi se takimi i parë zbatues i marrëveshjes me Italinë për njohjen e pensioneve do të zhvillohet në datat 18-20 qershor.
Gonxhe shpjegoi edhe përfitimet që do të kenë qytetarët shqiptarë nga kjo marrëveshje.
“Në rast se një person është në Itali dhe ka përfituar një pension të caktuar për shkak të viteve atje, por ka edhe disa vite në Shqipëri për të cilat nuk është i kualifikuar për të marrë pension, nga momenti që marrëveshja hyn në fuqi i takon e drejta të marrë edhe pensionin për vitet në Shqipëri. Nga momenti që marrëveshja hyn në fuqi, këto vite kthehen në një të drejtë pensioni për të, por natyrisht në masën që i takon nga kontributet në Shqipëri. Qytetarët nuk mund të kërkojnë lekë për vitet para se të hynte marrëveshja në fuqi, por nga dita që marrëveshja hyn në fuqi pensioni i tyre rritet bazuar në këtë riformulim”.
Rreth 4 mijë shtetas italianë dhe rreth 500 mijë shqiptarë që jetojnë në vendin fqinj që do të përfitojnë nga marrëveshja.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku nuk i kurseu kritikat në drejtim të mënyrës së pagesës së pensioneve. Sipas shifrave që ajo analizoi, pensionistët janë në varfëri, ndërkohë që theksoi se reforma e pensioneve ka dështuar.
“INSTAT thotë që rreziku për të qenë i varfër në Shqipëri është rritur me 2% për moshën mbi 65 vjec ndërkohë që në vitin 2022 pensionistët me pensionin tonë të pjesshëm janë 48% e totalit të pensionistëve. Që do të thotë sot 1 në 2 pensionistë e ka pensionin e pjesshëm. Të dhënat e INSTAT dhe EUROSTAT theksojnë që 85% e pensionistëve kryesisht në fshat e kanë të ardhurat e tyre nga pensioni më të ulëta se minimumi jetik dhe është niveli i përcaktuar dhe i llogaritur nga EUROSTAT sepse siç të gjithë e dimë nuk kemi një nivel zyrtar të përcaktuar për sa i përket minimumit jetik. Janë të gjithë tregues që tregojnë se sot politika e pensioneve dështoi , sot pensioni social i proklamuar, i deklaruar nga Qeveria këtu e 8 vite më parë, dështoi si një masë për të nxjerrë një shtresë të madhe të popullsisë dhe pensionistëve nga niveli i varfërisë. Dhe unë e besoj fort në fakt që të gjitha reformat të cilat që prekin më shumë se mandatin e një qeverie duhet të jenë reforma të përbashkëta, duhet të jenë reforma që prekin në thelb sistemin nga njëra anë por nga ana tjetër janë dhe të qëndrueshme në kohë, që nuk ndryshojnë nga njëri vit në tjetrin”. (A2 Televizion)